
Gjykata e Posaçme Apelit ka zbardhur arsyet e vendimit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” për liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në vendimin e zbardhur nga Gjykata evidentohen katër faktet të cilat kanë shtyrë togat e zeza për zëvendësimin e masës së sigurisë personale nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Faktet:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës.
Ndër të tjera në këtë vendim të zbardhur të Gjykatës theksohet qartë se nëse Berisha nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurisë “detyrimin për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëhere organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë sërish zëvendësim të kësaj mase sigurie, me një masë sigurie më të rëndë.
Më 27 nëntor 2024 Gjykata e Posaçme e Apelit i hoqi ish-kryeministrit Sali Berisha arrestin shtëpiak, masë e cila ishte në fuqi që prej 30 dhjetorit të vitit 2023.
Ndërkohë më 3 janar të këtij viti, Apeli i Posaçëm me vendim të gjyqtarit Engert Pëllumbi riktheu për ish-kryeministrin masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Berisha e cilësoi këtë vendim si një përpjekje të dështuar të qeverisë dhe SPAK me qëllim juftifikimin e veprës së tyre.
“Vendim pa asnjë bazë ligjore, pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama, përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet SKAPI i partisë për të justifikuar veprën e tyre”, tha Berisha.
Informacion Masa SB by Newsbomb Albania on Scribd
Vendimi i zbardhur:
Lidhur me kushtet e veçanta për caktimin e masës së sigurimit personal, nga vendimmarrja e gjyqtarit të hetimeve paraprake nuk ka ndryshuar asgjë, dhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave.
Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar.
Ndërkohë, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është vendosur jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit por për shkak të thyerjes së detyrimeve të masës së mëparshme të sigurimit, ajo e “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Kërkuesi z. S.B. e ka tentuar duke paraqitur edhe më parë pranë gjyqtarit të hetimeve paraprake, kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit personal, ku e tillë kërkesë është rrëzuar me vendim të konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit.
Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal.
Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar.
2. Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës
Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.
Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë.