
Dy ditë më parë zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo shprehu rezervat e saj sa i përket çështjes së gjinive.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Garo tha se kjo çështje ishte kthyer në një problem dhe shqetësim për të dhe miqtë e saj, pasi axhenda e më shumë gjinive ishte duke u futur edhe në kurrikulat e fëmijëve.
“Ka një problem real që ka qenë në SHBA që më ka shqetësuar shumë. Shumë më ka shqetësuar. Më ka shqetësuar jo vetëm mua, edhe miqtë e mi sidomos nëpër qendra të mëdha urbane si Nju Jorku, metropole e të tjera, ku kjo axhendë po shtyhej me shumë qëllim edhe tek fëmijët e vegjël. Fëmijët e vegjël kishin kurrikula për këtë gjë se si t’i përfshijmë transeksualët, si të jesh transeksual është OK”, tha Garo.
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe aktivistja Xheni Karaj. Në llogarinë e saj në “Facebook”, Karaj ka postuar një video të Garos shumë vite më parë ku në emisionin e saj “Jo vetëm modë”, kishte ftuar një vajzë trasgjinore dhe i dha zë historisë së saj.
“Në video mund të shihni Floriana Garon, në vitin 2016 gazetare e emsionit "Jo vetëm modë", duke u përqafuar dhe buzëqeshur me një vajzë transgjinore, e ftuar në emisionin e saj për të ndarë historinë e jetës dhe sfidat me të cilat përballej”, shkruan Karaj, teksa në vijim ka postuar dhe reagimin e Floriana Garos dy ditë më parë në “Opinion”, të cilit i referohet si “hipokrizi”.
Reagimi i plotë i Xheni Karaj:
Në video mund të shihni Floriana Garon, në vitin 2016 gazetare e emsionit "Jo vetëm modë", duke u përqafuar dhe buzëqeshur me një vajzë transgjinore, e ftuar në emisionin e saj për të ndarë historinë e jetës dhe sfidat me të cilat përballej. Në pjesën e dytë të videos, e marrë nga emisioni Opinion i ditës së mërkurë, tashmë në pozicionin e zëdhënëses së PD-së, ajo shfaqet me një aktrim të dobët dhe një shqetësim të sajuar, duke deklaruar dramatikisht se gratë transgjinore janë "kërcënim". Kjo hipokrizi është vërtet e neveritshme.
Lind pyetja: çfarë ndodh me një njeri brenda pak vitesh që të humbasë jo vetëm sensin e logjikës, por edhe kujtesën dhe ndjenjën e njerëzillëkut? Apo ndoshta Floriana e vitit 2016 thjesht po bënte një “shoë” për publikun, ashtu siç bën tani, vetëm se skenari i ri është i diktuar nga një axhendë partiake që synon të demonizojë dhe targetojë një nga komunitetet më vulnerabël për disa vota më shumë.
Në politikë, shpesh dinjiteti dhe parimet shiten lehtësisht, por të imitosh në mënyrë të sforcuar narrativat politike te Shteteve të Bashkuara me qëllimin e të bërit aleancë me konservatorët amerikanë dhe me shpresën që duke i bërë qejfin atyre do ti hiqet ""non grata" liderit të partisë, është një veprim i dëshpëruar.
Kjo është veçanërisht ironike, kur mendon se populli shqiptar e njeh mirë hipokrizinë dhe sjelljet aspak konservatore të disa prej figurave të PD-së. Disa prej nesh i njohin mirë edhe gratë “Nr. 1” e gratë “Nr. 2” që kanë disa prej tyre. Mos u lodhni më kot sjellja konservatore e te qenit më "Katolik se Papa" nuk ngjit si narrativë.
Për më tepër, PD-ja ka kontribuar drejtpërdrejt në shkatërrimin e familjeve shqiptare duke i varfëruar deri në ekstrem, duke shkatërruar sistemet arsimore dhe shëndetësore dhe duke detyruar breza të tërë të emigrojnë.