“Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”.
Kjo ishte deklarata e bërë nga zv.kryeministri serb Aleksandër Vulin që trazoi marrëdhënet Shqipëri-Serbi.
Për këtë arsye ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukčević është thirrur dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.
"Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.
MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian," thuhet në njoftimin e MEPJ.
Kujtojmë se Vulin duke shfrytëzuar vizitën e kryeministrit shqiptar, i dërgoi një mesazh Athinës, ku tha se sa herë të mendojnë që të njohin Kosovën, të kujtojnë takimin e Ramës në kryeqytetin grek.
Sipas Vulin, njohja e Kosovës nga Greqia dhe pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i qeverisë greke dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Ai deklaron se Shqipërinë e Madhe mund ta ndalin vetëm bota serbe, por edhe me ndihmën e Greqisë.
“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë.
Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”, ka deklaruar Aleksandar Vulin.