Ish- kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me votimin “pro” anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Berishës, kjo është një arritje historike për Kosovën dhe realizimi i një ëndrre fisnike të presidentit Ibrahim Rugova si dhe dëshmorëve që ranë në luftën për liri.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionare të shpresës, dinjitetit, lirisë së individit dhe shoqërisë shqiptare. Ju përshëndes me shumë mirënjohje, me shumë nderim, ju dhe oratorët tuaj. Por sonte dua të përshëndes në emër tuaj dhe të PD, një ngjarje historike për Kosovën dhe kombin. Sot, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi me mbi dy të tretat e të pranishmëve për Kosovën anëtare të Këshillit të Europës. Për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Të dashur miq, kjo është një arritje historike, është realizimi i një ëndrre fisnike të madhe të presidentit Ibrahim Rugova. Realizimi i një ëndrre të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve të Kosovës që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe evropiane”,- shkruan ish-kryeministri në Facebook.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ishte një ndër përfaqësuesit e delegacionit shqiptar që do të fliste në mbledhjen e Këshillit të Europës, e ka cilësuar votën “pro” të Asamblesë si një ditë të madhë për shqiptarët kudo që janë, ndërkohë që falenderoi edhe deputeten greke Dora Bakojanis, për kontributin e dhënë që Kosova të jetë pretendente për tu anëtarësuar në KiE.
“Një ditë e madhe për Kosovën dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Të gjithë së bashku në udhëheqjen e Kosovës i’a dolëm që Kosova të triumfojë sot! Faleminderit Dora Bakojanis për kontributin e jashtëzakonshëm për të arritur në këtë moment historik”, shkroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka shkruar një mesazh urimi për këtë arritje të Kosovës, ndërsa e cilësoi vendimin si një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën dhe proceset integruese të saj, si dhe një vlerësim për demokracinë e brendshme dhe paqen rajonale.
“Urime Kosovë! Moment historik për Kosovën dhe popullin e saj që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi pro rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Kjo nuk është vetëm një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe proceset integruese të saj, por edhe një vlerësim për demokracinë e brendshme dhe paqen rajonale”,- shkroi në rrjetin social, Facebook Gazment Bardhi.