
Ditën e sotme u mblodh grupi i punës për Reformën Zgjedhore dhe pjesë e këtij takimi ishte edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Por sërish, mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur në një dakordësi për votën e diasporës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u ka prezantuar të pranishmëve në tryezë propozimin e KQZ, i cili bazohet në 2 pika kryesore, regjistrim të votuesve në një portal që menaxhohet nga KQZ, si edhe vota të dërgohet po me anë të këtij portali.
“Kishte dy komponentë, komponenti i parë lidhje me procedurat e regjistrimit të votuesve nga jashtë nëpërmjet një aplikacioni apo portali të posaçëm që administrohej nga KQZ dhe komponenti i dytë kishte të bënte me mënyrën e votimit. KQZ propozon që votimi të bëhet me elektronikë ose me postë. Periudha e votimet nga jashtë të zgjasë disa ditë para datës së zgjedhjeve brenda vendit. Votuesi nga jashtë do mund të votojnë në aplikacion disa herë, por numërohet vetëm vota e fundit", - sqaroi Celibashi.
Por ky propozim nuk e ka bindur përfaqësuesin e Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i cili tha se nëse bëhet votim elektronik, atëherë do duhet të bëhet për të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për diasporën, në të kundërtën do ishte diskriminim. Ai këmbëngulë që për socialistët varianti më i mundshëm është ai me postë.
“Votimi elektronik ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit, ne do i shikojmë dhe aty dolën shumë pikëpyetje që kërkojnë sqarim, nëse do shkohet drejt votimit elektronik në Shqipëri duhet parë, varianti më i mundshëm është varianti klasik i votimit me postë dhe regjistrimit të këtij portalit. PS jemi me parimin që çdo qytetar që jeton jashtë vendit, që iu nënshtrohet 2-3 hapave normal për identitetin. Duhet t’i besojmë sistemeve aktuale që shqiptarët punojnë sot, sistemit postare dhe atij të identifikimit elektronik që funksionon”, - tha Gjiknuri.