Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka deklaruar se ka propozuar që KQZ të administrojë votimin nga jashtë në zgjedhjet e vitit 2025.
I pranishëm në mbledhjen e dialogut për votën e diasporës që u zhvillua ditën e sotme me dyer të mbyllura, kreu i Komisionit, Celibashi tha se në katë takim nuk u ndërmor asnjë vendim, pasi u bënë më shumë pyetje rreth mënyrës se si mund të realizohet ky proces.
Sipas Celibashit, është me shumë rëndësi që të miratohen rregullat për votimin nga jashtë brenda sesionit të Kuvendit, pasi vonesa e tyre do të penalizonte votimin e diasporës në vitin 2025.
Gjithashtu, Celibashi shprehet se duke u nisur nga angazhimi i palëve në tryezën e diskutimeve, mund të themi se ka interes dhe vullnet për një zgjidhje në lidhje me këtë çështje.
“Nëse nuk do të kemi rregullat për votimin nga jashtë brenda këtij sesioni të kuvendit, thuajse me siguri absolute votimi nga jashtë nuk mund të realizohet në 2025.
Nga ajo që pashë në këtë format tavoline, duket që palët janë të angazhuara seriozisht. Nuk e di nëse do të prodhojnë rezultat, por duket që ka interes dhe vullnet për një zgjidhje në lidhje për këtë çështje duke e parë nga natyra e pyetjeve.
Çështja e afatit ka rëndësinë e vet por ajo që propozova është që të jetë institucioni i KQZ, ai i cili administron kërkesat e atyre votuesve që duan të votojmë jashtë territorit. Gjithë këtë proces ta administrojë KQZ.
Nëse do të konsiderohej ideja që propozoj, mendoj që votimi të kryhet ose nëpërmjet internetit ose në mënyrë tjetër elektronike. Nuk mendoj se është votimi me postë si zgjidhja më e mirë për rastin e Shqipërisë. Një ndër opsionet është ai i kombinuar ku fleta dërgohet në mënyrë elektronike “, tha Celibashi.