Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Selanik, të cilët punojnë dhe jetojnë në vendin fqinj.
Fjala e Ramës, takimet, por edhe mesazhet e përcjella nga kryeministri shqiptarë janë bërë kryefjalë e mediave greke.
Mediat greke shkruajnë se Kryeministri shqiptar, njoftoi se mësuesit shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe u mësojnë fëmijëve shqip do t'i bashkohen një programi dhe do të marrin rrogë nga shteti shqiptar.
Pjesë nga shkrimi në mediat greke
“Ne duhet të kultivojmë miqësi për popullin grek. Grekët na kanë ndihmuar, kanë qenë pranë nesh dhe i respektojmë shumë”, tha Edi Rama ndërsa iu referua edhe protestave jashtë vendit të ngjarjes. “Ajo që kemi dëgjuar për kontinentin verior janë çështje që na kanë pushtuar shekuj më parë. Tani jemi në shekullin e 21-të dhe nuk merremi me të shkuarën”, tha ai, ndërsa mediat si himara.gr raportuan se kryeministri shqiptar komentoi se disa persona, të cilët i cilësoi si “fantazmat e së shkuarës”, protestuan praninë e tij, duke përdorur pamflete dhe slogane që kishin të bënin me çështjen e Vorio Epirit.
Duke shprehur keqardhjen për këto reagime, ai theksoi se veprime të tilla nuk i ndihmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Vorio Epiri është një term i vdekur”, tha Rama. “Kjo nuk është një arsye për të kultivuar ndjenja negative ndaj Greqisë. Greqia është një partner i domosdoshëm që, së bashku me Italinë dhe Turqinë, përbën një trekëndësh strategjik në politikën tonë të jashtme”.
“Ne duam të kemi marrëdhëniet më të mira me Greqinë. Unë besoj se këto marrëdhënie nuk duhet të preken nga raste si ajo e Fredi Belerit. Është turp që ka pasur këtë incident që ka dëmtuar marrëdhëniet tona. Por, për sa më përket mua, Greqia është një partner strategjik, jo vetëm një fqinj për Shqipërinë”, shtoi ai.
Dhe ai vazhdoi: “Kyriakos (Mitsotakis) është një lider modern i Greqisë dhe unë e konsideroj atë një politikan shumë inteligjent, shumë të aftë. Unë kam vetëm respekt dhe miqësi për të. Nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar marrëdhëniet me Greqinë. Përkundrazi, besoj se është shumë e rëndësishme për Greqinë dhe Shqipërinë që kjo marrëdhënie të bëhet më e fortë”.