Hapësire reklamuese

Politikë

Vidhen 54 ton hekur në Kombinatin e Poliçanit, Prokuroria e Beratit i dërgon fletëthirrje ish-ministrit Bledi Çuçi

Shkruar nga Newsbomb
Vidhen 54 ton hekur në Kombinatin e Poliçanit, Prokuroria e Beratit
Ilustrim: Bledi Çuçi dhe Kombinati i Poliçanit

Ish-ministri dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi është thirrur nga Prokuroria e Beratit që të paraqitet pranë këtij institucioni për të dhënë dëshmi më datë 15 Korrik. Ai do të pyetet për vjedhjen e 54 ton hekur në Kombinatin e Poliçanit.

News 24 bën me dije se ish-ministri socialist është thirrur për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me këtë çështje penale të çelur në 2022, për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës".

Fletëthirrja mban firmën e prokurorit Eni Çulli dhe sipas saj, Bledi Çuçi duhet të paraqitet para organit të akuzës më datë 15 korrik ora 12:00.

Shkresa i është dërguar për zbatim Komisariatit Nr.3 në Tiranë, për shkak se ish-ministri ka vendbanimin në kryeqytetit në juridiksionin e këtij komisariati. Prokuroria e Beratit thekson në fletëthirrje që nëse Bledi Çuçi nuk paraqitet, do të urdhërohet shoqërimi i tij i detyrueshëm me polici.

Çështja penale lidhet me vjedhjen e 54 tonë metaleve në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ku është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm.

Bledi Çuçi thirret në cilësinë e drejtuesit politik të Beratit, pasi nga hetime ka rezultuar se ka patur komunikime me drejtorin Kombinatit Mekanik te Poliçanit, Erion Zylyftari i cili është njëherazi kreu i Partisë Socialiste në Poliçan.

Ndërkohë, në lidhje me dëmin e shkaktuar janë bërë audite dhe gjetjet i janë vënë në dispozicion ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi që me gjasë do thirret për të dhënë dëshmi, pasi Kombinati Mekanik i Poliçanit është pronë nën varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Aktualisht hetimi po kryhet në Prokurorinë e Beratit, por nëse gjenden të dhëna që mund të implikojnë Bledi Çuçin apo ministrin Niko Peleshi, ka gjasë që dosja t’i kalojë SPAK për kompetencë, raporton News 24.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese