Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore


Politikë

VIDEO/ Opozitarët italianë vizitë blic në Gjadër të Lezhës, shohin punimet për kampin e emigrantëve: 70 mijë metra katrorë bosh!

Shkruar nga Newsbomb
VIDEO/ Opozitarët italianë vizitë blic në Gjadër
Deputetet italiane

“Ato duhet të ishin hapur të hënën e kaluar, sipas asaj që Gorgia Meloni ka deklaruar, por puna sapo ka nisur. Qeveria duhet të heqë dorë nga ky projekt dhe të kalojë fondet në shëndetësi”, kështu janë shprehur opozitarët italianë të cilët së fundmi kanë zhvilluar një vizitë “blic” në Gjadër të Lezhës, aty ku pritet që të strehoen emigrantët që do të shpëtohen në Detin Mesdhe.

Deputetët e Partisë Demokratike italiane ndodheshin këtë të mërkurë në Shqipëri, në Gjadër të Lezhës, për të parë nga afër dy kampet e emigrantëve për të cilat u tha se do të hapeshin të hënën që lamë pas, më 20 maj.

“Por, a e kupton se çfarë po bën? Ju po shkelni të drejtat e njeriut, po shpenzoni një shumë të madhe parash publike dhe mbi të gjitha nuk jeni në gjendje as të mbani atë që keni thënë”, kështu Matteo Mauri, deputeti i Partisë Demokratike iu drejtua nga Lezha kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ministrave të Brendshëm, Punëve të Jashtme dhe atij të Mbrojtjes.

Së bashku me kolegët e tij, Simona Bonafè, Enzo Amendol dhe Matteo Orfini zhvilluan mëngjesin e kësaj të mërkure, 22 maj, një vizitë të papritur në zonat ku do të ngrihen kampet e parashikuara nga marrëveshja mes kryeministres Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Ramës. Ajo që deputetët gjetën në vendin ku parashikohet ngritja e kampeve nuk ka qenë gjë tjetër veçse mjetet e punës, buldozerë dhe kamionë.

“Sot është 22 mars. Dy ditë më parë këtu duhej të ishin tashmë në funksion qendra e kërkuar nga Meloni”, thotë deputeti i PD-së italiane, Mauri në video.

Vetëm buldozerë dhe kamionë

Disa buldozerë dhe nja dy kamionë dhe asgjë tjetër në zonën e Gjaderit ku inxhinierët nuk kanë përfunduar ende punën e gërmimit, e cila është shumë e ndërlikuar duke qenë se terreni ka shumë vrazhdësi dhe se zona është plotësisht e lirë nga punimet urbanistike , të gjitha për t'u arritur, nga kanalizimet e deri tek energjia elektrike, kështu shkruan La Reppublica.

Sipas kalendarit të shpallur nga qeveria Meloni, qendrat duhet të ishin inauguruar të hënën më 20 maj, por siç parashikohet javët e fundit nga La Repubblica, dorëzimi i punimeve është planifikuar për në fund të vjeshtës.

Partia Demokratike: Reklama elektorale për zgjedhjet europiane

“Përpjekja e Melonit për të pasur një reklamë elektorale për emigrantët për zgjedhjet evropiane dështoi keq. Jemi përballë më shumë se 70 mijë metra katrorë bosh. Punimet mezi kanë nisur, pavarësisht njoftimeve të Qeverisë që kishte caktuar datën e hapjes së qendrës më 20 maj 2024”, deklarojnë deputetët e PD-së.

“E vetmja gjë që lëviz është kostoja. Tani kemi shkuar nga 653 milionë fillestare në mbi 800 milionë. Është e qartë se jemi përballë një përpjekjeje qesharake për të paguar një reklamë elektorale për zgjedhjet evropiane. I kërkojmë kryeministres Meloni të heqë dorë nga ky projekt dhe të zhvendosë burimet drejt fuqizimit të burimeve që do t’i akordohen sistemit kombëtar shëndetësor”, thonë më tej deputetët opozitarë.

Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan marrëveshje, sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët që shpëton në Detin Mesdhe, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese