
Një seancë plot tensione, debate dhe akuza ka qenë kjo e së enjtes. Opozitarët iu rikthyen edhe njëherë skenarit të tyre të vjetër, me bllokimin e foltores së Kuvendit, ngritjes në këmbë, mos lejimit normal të seancës dhe vërshimit të akuzave.
Ka qenë deputeti demokrat Flamur Noka ai i cili “ e pësoi” më tepër këtë seancë plenare. Pasi u përjashtua nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, demokrati nuk hoqi dorë dhe vijoi me “zhurmën” në sallë.
Më pas kryeparlamentarja njoftoi se ndaj deputetit demokrat do të ashpërsohen masat. Por, përveç “lumit me akuza” në drejtim të qeverisë, Noka ka bërë dhe deklarata të cilave nëse do i rikthehej sërish tani e sigurt që nuk do i bënte.
Gjatë fjalës së tij deputeti duke dashur të thotë tjetër gjë përfundoi duke thënë diçka që menjëherë u bë virale në rrjet.
“Sepse Shqipëria nga një vend që prodhonte destabilitet, është kthyer në një vend që prodhon destabilitet", ka thënë Flamur Noka, duke lënë të kuptohet se njëjtë si në qeverinë e Sali Berishës po ashtu dhe tani vendi ynë prodhon destabilitet.