
11 Maj po afron dhe sa më shumë ngushtohen ditët, aq më shumë kandidatët për deputetë nga të dyja forcat politike rrisin intensitetin e takimeve me votuesit potencialë. Por jo gjithmonë këto takime shkojnë siç duhet, pasi një pjesë e kandidatëve ose janë të konsumuar, ose janë të rinj dhe nuk e kanë idenë e diskursit të duhur publik.
Një rast flagrant është ai i simpatizantes/zyrtares së Partisë Socialiste në Vlorë, e cila gjatë një takimi elektoral është shprehur se qyteti bregdetar ka arritur majat gjatë qeverisjes së PS dhe s’ka asgjë tjetër, veç të zbresin hënën në tokë.
“Dëgjoni, më vjen keq, por nuk mund të kërkoni ndryshime në Vlorë! Sepse hapni sytë o çuna, o goca, o vlla o motra, hapni sytë! Vlora ka arritur majat! Hënën nuk mund të ua japin se nuk e marrim dot hënën dhe ta sjellim në tokë.
Si mund ta sjellim? Bëhu Anjshtanji! Ik bëhu shkencar (shkencëtar), bëhu shkencëtar që mund të na çosh në hënë. Në këto 4 mandate që PS ka dhënë, bërë dhe është në Vlorë, ka bërë ndryshime”, dëgjohet të thotë simpatizantja e PS, me videon që është bërë subjekt i talljes në internet.
I trishtë është realiteti edhe në kampin tjetër. Kandidati demokrat për deputet, Klevis Balliu ka ndarë një video nga Mercedesi i tij luksoz, një S Class dhe ironizon kryeministrin Edi Rama për premtimet e tij për biznesin e vogël.
“E patë Edi Ramën sot?! Pas 12 vitesh timoni, tepsia, tallavaja, tani thotë kam një program për biznesin e vogël. Po ku ishe këto 12 vite për biznesin e vogël, apo ishe duke u marrë me atë biznesin tatat (prek hundën) që ke qejf shumë?! Nuk i hajnë shqiptarët mashtrimet e tua, në 11 Maj votojnë numrin 1”, dëgjohet të thotë Klevis Balliu.
Kandidati demorkat për deputet është bërë disa herë subjekt i lajmeve në portale për makinën personale që përdor në një kohë që flet për shtresat në nevojë, një Mercedes Benz model S Class, i cili kushton disa mijëra euro.