Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Veton Surroi në Public Square: Kosova sfidë shtetkonsolidimin, Shqipëria demokracinë!

Shkruar nga Newsbomb

Veton Surroi në Public Square: Kosova sfidë shtetkonsolidimin,

Ditmir Bushati në podcastin e tij Public Square diskuton me publicistin, intelektualin publik në Kosovë Veton Surroi. Të dy bashkëbiseduesit u ndalen te raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, mësimet që duhet të ketë parasysh kjo e fundit, cfarë do të bëjë faktori shqiptar dhe çfarë duhet të kemi parasysh në këtë kontekst të ri gjeopolitik.

Disa janë detyrat e pushtetit apo të institucioneve përfaqësuese të Kosovës në këtë kontekst të ri gjeopolitik që jetojmë. Sipas Surroit “sfida e madhe gjeopolitike është identifikimi i rrjedhës së mëtejshme të ndërtimit të botës euroatlantike dhe i integrimit të Kosovës në tryezat politike.

Ndërsa, “detyra parësore për Tiranën besoj që është të prijë në botën shqiptare me reformimin e vet pro-europian. Është shans unikal që nëse ende do të mbetet e hapur dera gjatë këtij 10 vjeçari, Shqipëria si vend kandidat, të arrijë që të përmbushë detyrat e veta shpejt drejt aderimit në BE. Kjo nënkupton po ashtu që Shqipëria të mos merret me çështje të cilat ia tërheqin vëmendjen dhe të cilat nuk janë produktive, siç është që të japë këshilla sesi duhet të sillet Kosova ose, si duhet të sillen popuj të tjerë perëndimorë”.

Bushati dhe Surroi diskutuan dhe mbi një shkrim që ky i fundit ka publikuar në të cilin heq një paralele mes protestave masive në Serbi dhe rolit të prokurorisë speciale SPAK në Shqipëri. Sipas Surroit, “protestat apo veprimi i SPAK-ut përpiqen apo perceptohen të jenë element korrigjuese të sistemit. Natyrisht që të dyja janë të pamjaftueshme sepse sistemi nuk korrigjohet as me burgosjen e njerëzve të korruptuar, kjo është një nevojë por jo domosdoshmërisht do ta korrigjojë pushtetin në vetvete. E njëjta gjë vlen dhe me protestat, jo domosdoshmërisht do ta rrëzojnë pushtetin, por kanë mundësi që të jenë fillim i një procesi transformues që do të çojë deri në gjetjen e balancave të reja politike në vend”.

Bashkëbiseduesit u ndalen edhe tek zhvillimet e pritshme në Ballkanin Perëndimor përgjatë 2025, në kontekstin e ri politik dhe të sigurisë, por, edhe rikthimin e Donald Trump në shtëpinë e bardhë kur institucionet e Bashkimit Europian po flasin për përshpejtimin e procesit të integrimit europian edhe pse mund të jetë ende herët për të pritur veprime konkrete.

Në këtë pikë, Surroi rendit tre cështje parësore të Presidentit Trump sikurse janë “tërheqja e Amerikës prej rolit të vet parësor të garantuesit të rendit të deritanishëm, lufta e Ukrainës dhe sfida e tretë fillimi i një lufte të re të ftohtë mes SHBA-ve dhe Kinës”. Kjo i con bashkëbiseduesit në diskutimin për fundin e rendit liberal dhe për të cilin jemi mësuar të flasim që nga rënia e Murit të Berlinit e këtej, por një rend i ri nuk ka lindur ende ose është në proces formimi.

Por, si përthyhet kjo në Ballkanin Perëndimor ku ne kemi një situatë tjetër të paktën në këto tri dekada e gjysmë që nga rënia e Murit të Berlinit, falë pikërisht rendit liberal?

Sipas Surroit, për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi që vija ndarëse mes botës euroatlantike dhe asaj euroaziatike të mos kalojë në Ballkanin Perëndimor, pra mos të jetë vija e fërkimit mes shqiptarëve dhe serbëve, mes Kosovës dhe Serbisë, apo mes popujve të Bosnje-Hercegovinës. Pra, duhet të shpejtohet procesi i integrimit të kësaj hapësire në botën euroatlantike.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese