Komisioni i Venencias do të mblidhet këtë të premte dhe ditën e nesërme 6-7 dhjetor, për të shqyrtuar mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçkës.
Kujtojmë se më 13 shtator, Kuvendi për herë të tretë votoi kundër dërgimit të Olta Xhackës për gjykim në Kushtetuese. 65 socialistë abstenuan, 9 kundër e 25 abstenim, duke rrëzuar kështu për herë të dytë vendimin e Kushtetuese.
9 kolegët socialistë të cilët i dhanë votën e tyre kundër dërgimit të mandatit të saj në Kushtetuese ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela.
Me përfundimin e votimit, opozita reagoi e revoltuar duke përplasur tavolinat e duke e cilësuar këtë vendim për të mos respektuar urdhrin Kushtetueses si një turp për socialistët.
Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali iu drejtua "Venecias" pasi votimi i socialistëve demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin.
Në letrën me të cilën kryetarja e Kuvendit iu drejtua “Venecias” kërkoi nga Komisioni interpretim se cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar. Kryeparlamentarja i kërkoi Komisionit të Venecias të arsyetoje se cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre.
Pyetjet për Komisionin e Venecias:
1- Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?
2- Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit? Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?
3- Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?
4- Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç'raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë, krahasuar me kompetenën e gjykatës përkatëse?
5- Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë cështjen në gjykatën e caktuar?
Kjo kërkesë Spriopalit u pranua nga Komisioni i Venecias, ku presidentja Claire Bazy Malaurie informoi se kjo çështje do të shqyrtohet në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 dhjetor 2024.
“E dashur Kryetare, Ju faleminderit për letrën tuaj të datës 13 shtator 2024, me anë të së cilës kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias për raportin ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, në kuadrin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Nëpërmjet kësaj letre konfirmoj gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të përgatitur këtë opinion për miratim në seancën plenare të 141-të (6-7 dhjetor 2024). Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time për besimin ndaj Komisionit të Venecias. Juaja sinqerisht, Claire Bazy Malaurie”, shkruante presidentja e Komisionit të Venecias në letrën drejtuar Spiropalit.
Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi në korrik vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre.
Pikërisht për këtë çështje, parlamenti kërkoi, nga Gjykata Kushtetuese, që t’i drejtohej Komisionit të Venecias për të sqaruar ndër të tjera se “bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit?”. Por kërkesa për të përfshirë komisionin e Venecias u rrëzua nga Gjykata.
Siç shpjegoi më 10 korrik kryetarja Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se “deputetët duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.
Kryetarja e Gjykatës përsëriti nga ana e saj, se “vendimi është shumë i qartë. Askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të mos zbatosh kushtetutën dhe ligjin”.
Çështja e mandatit të zonjës Xhaçka u ende për gati dy vitesh mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pikëpyetjet mbi rastin e Xhaçkës, lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi. Çështja mori sërish vëmendje pasi pak muaj më parë Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli.
Trualli i blerë nga zoti Gaçi, prej personave privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Më herët, pikërisht për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqejeishte arrestuar dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.