Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës së Apelit për t’i rikthyer vulën dhe logon e PD-së ish-kryeministrit, Sali Berisha ishte brenda pritshmërive.
Sipas Bardhit Gjykata e Lartë kishte caktuar që më herët të gjitha konturet, duke bërë të qartë edhe përfundimin e kësaj çështjeje.
“Për mua ky vendim ishte i pritshëm. Gjykata e Lartë kishte përcaktuar konturet e kësaj çështjeje dhe në njëfarë mënyre pritej që përfundimi të ishte ky”,- tha Bardhi.
Për Bardhin, ky vendim i Apelit i jep fund një konflikti të brendshëm dhe të stisur brenda PD-së, ndërsa vlerësoi shqyrtimin me përparësi të çështjes së vulës, duke ditur zgjatjen e proceseve gjyqësore në Shqipëri, për t’i dhënë një zgjidhje konkrete kësaj situate, kur na ndan më pak se një vit nga zgjedhjet parlamentare.
“Qytetarët presin 4 apo 5 vite në dyert e drejtësisë për një vendim të formës së prerë. Në rastin e PD-së kemi një shqyrtim me përparësi të çështjes. Një vit para zgjedhjeve kemi një zgjidhje përfundimtare”, tha Bardhi. Ai tha se nuk ka prova që ky proces të ketë qenë i ndikuar politikisht”,- tha Bardhi.