Ky mëngjes e ka gjetur kryebashkiakun Erion Veliaj në dyert e SPAK. Mirëpo, ai është lënë në pritje pasi mbërriti një orë më herët në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Burime për mediat raportojnë se Veliaj është ulur te vendi i policit, në hollin e SPAK. Ai është thirrur nga prokurori Dritan Prençi dhe do të pyetet në pranine e tij dhe tre oficerëve te Byrosë Kombëtare të Hetimit, për dokumentet qe mbajnë firmën e tij për inceneratorin e Tiranës.
I veshur me xhaketë dhe syze të errta, Veliaj u has me një grumbull qytetarësh, të cilët e prisnin në derën e SPAK. Edhe pse dëgjonte ofendimet për shkak të zhgënjimit të qytetarëve, kryebashkiaku i Tiranës nxitoi të futej shpejt në ambientet e brendshme të Prokuroisë së Posaçme, me një buzëqeshje të ngrirë në fytyrë.
Ata i zunë rrugën duke thirrur “O hajdut, o hajdut o plehrë, aty tek vrima e ke vendin”.
Përpara se të futej në ambientet e SPAK, Veliaj është përplasur edhe me ish-deputetin e PD-së, Klevis Balliu që ndodhej përpara godinës.
“Kërkoja Fahriut me 100 mijë euro makinë”, dëgjohet duke iu drejtuar Erion Veliaj.
Disa ditë më parë ai paralajmëroi se do shkonte vetë në SPAK për të dorëzuar dosjet me informacionet për të gjitha çështjet.
Tre ditë më parë Veliaj tha se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet për këtë arsye ka vendosur të shkojë vetë në ambientet e SPAK.
Por gazetari Enton Abilekaj hodhi poshtë pretendimet e Veliajt se po shkon vetë, ku tha se Veliaj do të shkojë pranë ambienteve të SPAK ditën e martë pasi është thirrur nga organi i akuzës, e jo ashtu si dhe ai pohon se është vendosur vetë në dispozicion të tyre dhe se do të shkojë vullnetarisht.
Kujtojmë se një muaj më parë SPAK "boashtisi" zyrat e Bashkisë së Tiranës, ku u arrestuan dy drejtorë aktualë dhe i është komunikuar një akuzë e re në qeli Taulant Tushës. Gjithashtu, janë dhënë dhe gjashtë masa sigurie për vartësit e tyre.
Konkretisht u dha masa “Arrest me burg” për shtetasit Mariglen Qato, R.M., dhe Taulant Tusha, si dhe masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" për shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi.
Drejtorët e Bashkisë së Tiranës akuzohen se janë pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.