Hapësire reklamuese


Politikë

Vdekja e 29 vjeçarit në minierën e Martaneshit, reagon Tabaku: Kjo tragjedi është një këmbanë alarmi

Shkruar nga Newsbomb
Vdekja e 29 vjeçarit në minierën e Martaneshit, reagon Tabaku:
Foto ilustruese

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për ngjarjen tragjike të ndodhur ditën e sotme në galerinë e kromit në minierën e Martaneshit, ku humbi jetën një 29 vjeçar dhe u plagos rëndë një tjetër.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Tabaku shkruan se tragjedia në këtë minierë është një këmbanë alarmi që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe të qeverisë, pasi këto ngjarje të tilla janë përsëritëse.

Tragjedia e minierës së Martaneshit ku një 29 vjeçar humbi jetën dhe 3 të tjerë janë të plagosur është një këmbanë që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe qeverisë.

Ngjarje të tilla janë përsëritëse, tre muaj më parë u shkëputën gurë që plagosën rëndë punëtorët dhe asnjë masë nuk është marrë edhe aq më pak ndonjë ndërhyrje e qeverisë që “feston” me lule socialiste “1 Majin” ndërkohë që ka harruar punëtorët.

Një qeveri e pakicës do të thotë që njerëzit e një toke të pasur të mbeten të varfër sepse i forti sundon mbi të dobëtin si në ligjin e xhunglës”,- shkruan në rrjetin social Facebook, Jorida Tabaku.

Deputetja demokrate akuzon qeverinë se nuk ka ndërmarrë masa për të siguruar kushte të favorshme për punëtorët e minierave dhe se nuk ka bërë asgjë për të miratuar statusin e minatorit, ndërsa shton se ministria e Financave po zvarrit çështjet për hetimin e kontratave koncesionare me PPP-të.

Kësaj i duhet shtuar edhe mënyra se si trajtohen koncesionet në këto pasuri të shqiptarëve dhe së pari të banorëve të asaj zone. Ndërkohë që ende dredhim zinxhirin për të miratuar një nënkomision që do të hulumtojë mbi gjithë kontratat koncesionare e Ministria e Financave fsheh si struci raportin e Koncesioneve dhe PPP-ve, punëtorët e minierave keqtrajtohen si në skllavëri.

Të keqpaguar, të pa sigurtë dhe në kushte të papërshkrueshme të punës së përditshme. Duke iu nëpërkëmbur dinjiteti, pa marrë vështirësinë e punës që i takon. Prej vitesh statusi i minatorit që njeh të drejta të veçanta per këtë kategori nuk është pjesë e diskutimeve të asnjë tryeze”,- shprehet Tabaku.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese