
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime lidhur me takimet që kryebashkiaku Erion Veliaj ka zhvilluar në ambientet e paraburgimit në Durrës.
Sipas asaj që VNA raporton mësohet se hetuesit e kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së burgut dhe do të analizojnë të gjitha hyrjet dhe daljet si dhe regjistrat e institucionit ku shënohen takimet me të paraburgosurit.
Dyshimet janë se kryetari i Bashkisë së Tiranës ka urdhëruar nga qelia sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të çështjes së tij.
Për këtë arsye SPAK ka urdhëruar që të vendoset në “sitë” çdo takim që kryebashkiaku ka pasur si dhe të merren në pyetje të gjithë personat që e kanë takuar atë.
Ndërkohë kujtojmë se më 13 mars Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun Veliaj. Pas një seance e cila zgjati për rreth dy ditë, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi që kryebashkiaku të vijojë të qëndrojë në qeli.
I pari i qytetit të Tiranës është i dyshuar për dy vepra penale, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vlen të theksohet se këto vepra penale dyshohen se janë konsumuar plot 9 herë nga çifti Veliaj – Xoxa, kjo e fundit me 3 akuza zyrtare, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”