Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp me ministren Belinda Balluku, ka komentuar uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe kritikat që e cilësojnë këtë vendim si një lëvizje elektorale.
Rama u shpreh qartë se nuk ka detyrim të bindë ata që, sipas tij, kanë mendime të paragjykuara. Ai theksoi se mbi 1 milionë konsumatorë do të përfitojnë nga ulja e çmimit të energjisë dhe shtoi se kjo masë është një tjetër dëshmi e angazhimit të qeverisë për të ndihmuar qytetarët.
"Nuk kam detyrim që t’i mbush mendjen dikujt që e ka të mbushur mbrapsht, e di shumë mirë që jetojmë në demokraci dhe të gjithë kanë lirinë të thonë çfarë të duan për çdo gjë që kam bërë bëj dhe do të bëj do thonë, mbi 1 milionë konsumatorë do paguajnë një çmim të ulur të saj. Edhe për bonusin e pranverës të pensionistëve thanë që është elektoral, Unë jam qenie elektorale qëkur dal nga shtëpia," tha Rama.