
Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Bokut në Vjenë, ku synohet që UBT të jetë më atraktiv dhe i dëshirueshëm nga studentët nga Shqipëria, pse jo dhe nga rajoni.
I pranishëm ka qenë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama ku ka mbajtur fjalën. Me natyrën e tij karizmatike nuk kanë munguar dhe humori ndërsa u komplimentua nga dekani, tha se “Mua nuk më pëlqejnë lëvdatat, por kur vijnë nga një demokrat i rilindur janë të mirëserdhura dhe sidomos në këtë moment që realisht është një momkent historik për Universitetin Bujqësor të Tiranës. “
Rama shtoi se ky është një moment historik për UBT dhe se studentët do tregojnë më shumë interes.
“Ky është një moment realisht historik për universitetin tuaj dhe një nga momentet jo të shpeshta kur marrja me politikë që ka gjithë ato siklete dhe rëndon, të bën të mendosh se; ç’mu desh kjo punë. Kjo të jep një sadisfaksion që të gjitha të tjerat i bën hallall. Para tre vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve. Rektori erdhi me një propozim të qartë për ministrinë e Arsimit, ku kërkoi mbështetje për të ulur mesataren për Universitetin Bujqësor.
Unë në fillim isha absolutisht kundër kësaj ideje për shkak sepse mendova se studentët po tregonin më pak interes, nxënësit po tregonin më pak interes. Këtu i binte që të uleshin nxënës që do të kishin nevojë për kurs shkrimi dhe këndimi.
Thash se ne duhet ta bëjmë Universitetin atraktiv dhe ta kthejmë në një destinacion për studentët shqiptarë dhe të rajonit duke e ndërkombëtarizuar dhe duke e bashkuar me një universitet ekselence në Europë me synimin që UBt të jetë ai universitet që merr gjithçka që do merrje nëse do shkojë në Vienë me një diplomë me të njëjtën vlerë.
Rektori nuk kishte si të më besonte se nuk ia lejonte dhe partia, por ne u bëmë bashkë. Në një moment u deshën 3 vjet. Natyrisht kemi humbur kohë dhe çdo orë e kemi çmuar, por këto janë projekte të mëdha që kërkojnë kohë. Të vijë këtu një nga ekselencat më të pasura të Evropës dhe të pranojë martesën me ne, nuk bëhet si ne me dashuri me shikim të parë. Të shohin, të masin nga para, nga prapa, marrin informacione. Tani është një martesë shumë e madhe.
E tha shumë mirë më parë Hubertt, ju takon tani të përfshiheni në këtë projekt dhe ta keni ambicie tuaj edhe personale, që këtë Universitet ta transformoni në një flamur krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët. Me mbështetjen e partnerëve austriakë, kushte për tu rritur profesionalisht, janë të garantuara. Qeveria do jetë në mbështetje të vazhdueshme.”
