
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës, Murat Dani ka reaguar në rrjete sociale lidhur me ngjarjen e regjistruar ditën e djeshme në fshatin Ostren të Bulqizës ku deputeti dhe kandiati për deputet i PD po në të njëjtin qark, ka dhunuar së bashku me nipin e tij, punonjësin e njësi administrative Ostren, Kalosh Murrën.
Në reagimin e tij, Xhelal Mziu u shpreh se është provokuar nga Murra dhe pjesëtarë të tjerë të PS-së, të cilët kanë intimiduar banorët e zonës me kërcënime për të mos marrë pjesë në takimin elektoral të organizuar ditën e djeshme në Ostren.
Kandidati për deputet Murat Dani është shprehur se Xhelal Mziu dhe mbështetës të tij, në mënyrë të paprovokuar kanë ushtruar dhunë barbare kundrejt Kalosh Murrës. Ndër të tjera Dani sqaron pozicionin e babait të tij në këtë ngjarje teksa shkruan se Jeton Dani ka qenë pranë qytetarëve prej kohësh dhe jo vetëm në ditët e fushatave elektorale, ndërsa shprehet për figurën e Mziut si një plaçkitës, rrugaç dhe mosbesues për askënd.
Theksojmë që deputeti Mziu ka shkruar se i ka kërkuar Kalosh Murrës të largohet nga zona dhe të mos initimidonte qytetarët, ndërsa ky i fundit ka marrë në telefon anëtarë të PS-së, dhe më pas aty kanë mbërritur disa persona, përfshirë këtu babain e kandidatit për deputet, Jeton Dani.
“Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuersve të opzitës, kanë mbërriur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine”, shkruan demokrati, duke sqaruar kështu se kanë qenë ata të cilët i kanë ushtruar dhunë dhe kanë filluar sipas deputetit sherrin.
Reagimi i plotë i kandidatit për deputet Murat Dani:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Ostren, shpreh shqetësimin tim të thellë dhe u bëj thirrje organeve kompetente që të merren me këtë çështje në mënyrë të plotë, objektive dhe transparente. Besoj fuqimisht se banorët e Ostrenit dhe të gjithë qytetarët e Dibrës kanë të drejtë të informohen mbi të vërtetën.
Sipas informacioneve të verifikuara, pas përfundimit të një mbledhjeje publike, z. Xhelal Mziu dhe nipi i tij janë larguar nga ambientet ku u zhvillua takimi dhe, në afërsi të zyrave të Njësisë Administrative, kanë hasur qytetarin Kalosh Murra. Në ato momente, në mënyrë flagrante dhe të paprovokuar, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj z. Murra. Fillimisht, dhuna është ushtruar nga vetë z. Xhelal Mziu, për t’u pasuar më pas nga nipi i tij dhe dy persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e grupit.
Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm dëshmitarë të shumtë, dhe pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë në zonë tashmë janë dorëzuar pranë SPAK. Bazuar në të gjitha të dhënat e deritanishme, është e qartë se nuk bëhet fjalë për vetëmbrojtje, pasi sulmi ndaj z. Murra është kryer pa paralajmërim dhe pa ndonjë provokim nga ana e tij.
Jam i bindur që SPAK do të trajtojë këtë çështje me seriozitetin që meriton dhe do të zbardhë plotësisht të vërtetën.
Dua gjithashtu të sqaroj publikisht pozicionin e tim ati ndaj qytetarëve të Dibrës. Ndryshe nga z. Xhelal Mziu, i cili shfaqet në Dibër vetëm në periudha fushatash dhe për interesa personale, babai im ka qenë dhe mbetet çdo ditë pranë qytetarëve të këtij qarku, pavarësisht se nuk ka mbajtur kurrë ndonjë funksion politik.
Z. Xhelal Mziu është simboli i një politike të kalbur, që ushqehet me mashtrime, dhunë dhe hipokrizi. Ai nuk vjen në Dibër për të shërbyer, por për të grabitur vëmendje dhe për të mbrojtur interesat e veta personale. Çdo dalje e tij publike është një fyerje për qytetarinë, një përpjekje për t’i mbushur mendjen dibranëve se ende ka diçka për të ofruar, kur në të vërtetë s’ka më as dinjitetin politik për të qëndruar përballë tyre.
Nuk ka projekt, nuk ka vepër, nuk ka kontribut. Ka vetëm dhunë, manipulim dhe një sjellje primitive që i shkon më shumë një rrugaçi sesa një përfaqësuesi politik. Ai nuk është më i besueshëm për askënd.
Dibra nuk ka nevojë për kërcënues politikë, për zhurmues fushatash apo për “shpëtimtarë” që kujtohen për popullin një herë në katër vjet. Nuk ka vend më për hijet e së shkuarës që rikthehen vetëm për të kërkuar vota, jo për të dhënë zgjidhje. Xhelal Mziu nuk është më as shpresë, as alternativë – është thjesht një kapitull që dibranët mezi presin ta mbyllin përgjithmonë, më 11 maj, me forcën e votës.