
Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur këtë të mërkurë, ku në korridoret e Kuvendit u shty nga deputeti demokrat, Xhelal Mziu.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ekonomi shprehet e keqardhur për nivelin ku kanë degraduar sipas saj kolegët e opozitës. Ndër të tjera socialistja thekson se kjo sjellje e papranueshme, e cila po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.
“E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës. Agjenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi. Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese”, shkruan Ekonomi ndër të tjera.
Gjithashtu ajo u ka bërë thirrje kolegëve të Partisë Demokratikr që t’i kthehen arsyes dhe t’i japin fund kësaj forme të bërit opozitë.
Reagimi i Milva Ekonomit:
E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës. Agjenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi.
Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.
Personalisht, ndjej detyrim të reagoj jo vetëm pse isha pjesë e kësaj situate konfrontuese, por edhe si deputete që ka zgjedhur të ushtrojë mandatin e deputetes konform rregullave dhe obligimit që kemi ndaj zgjedhësve tanë.
Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer arsyes dhe normalitetit, dhe shpresoj që deputetët e opozitës të kuptojnë që kjo formë e të bërit opozitë duhet të marrë fund njeherë e mirë në Shqipëri, ku problemet individuale tentohen të kthehen në kriza institucionale që pengojnë Shqipërinë në aspiratat intergruese në Bashkimin Europian.
Kuvendi i Shqipërisë