Kryeministri Edi Rama duket se ka sërish probleme shëndetësore. Ai e ka bërë me dije vetë këtë fakt, teksa ka qenë sot në hapjen e spitalit të ri ditor në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza".
Një vit pas operacionit në spitalin publik, ku ju nënshtrua heqjes së apendicitit, Edi Rama ka njoftuar mjekët se mund të shkojë prapë në duart e tyre për një ndërhyrje të dytë. Sipas tij, bëhet fjalë për "hernie inguinale".
"Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale - që i kam mësuar edhe emrin - se kësaj diskales nuk i kërkoj mjek sepse punoj me forcat e mia, me stretch, me vetëpërmbajte përpara ushqimit që të mos rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, po kësaj inguinales mesa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do vij prapë me shumë kënaqësi.
Unë i them të gjithë atyre që ndodh që më shkruajnë mesazhe, i them “shkoni në spitalin publik, shkoni në spitalin qendror se aty jeni jashtë shteti”. Ata që e besojnë vijnë e thonë: ishte e paparë. Ata që s’e besojnë thonë: propaganda e rilindjes. Çfarë të them unë i shkreti?! Si piktor duke lexuar fytyrat, mund të them që më dukeni në formë", u shpreh Kryeministri Rama.
Një hernie inguinale ndodh kur indet, të tilla si një pjesë e zorrëve, dalin përmes një vendi të dobët në muskujt e barkut. Sipas mjekëve, fryrja që rezulton mund të jetë e dhembshme, veçanërisht kur kolliteni, përkuleni ose ngrini një objekt të rëndë. Megjithatë, shumë hernie nuk shkaktojnë dhembje.
Një hernie inguinale nuk është domosdoshmërisht e rrezikshme. Mjeku ka të ngjarë të rekomandojë kirurgji për të rregulluar një hernie inguinale që është e dhembshme ose e zmadhuar. Riparimi i hernies inguinale është një procedurë e zakonshme kirurgjikale.
© Newsbomb.al