Pasi u mor i pandehur në SPAK, kryebashkiaku socialist Eduart Duro është paraqitur sot në ambientet e Prokuroisë së Posaçme, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët ai tha se do të fliste në një moment të dytë, duke mos dhënë deteje të tjera.
"Do të flas një herë të dytë”, - tha Duro.
I pyetuar nga gazetarët nëse do të jepte dorëheqjen, Duro deklaroi: Do të qëndrojë deri në përfundim të çështjes.
Pra, sipas tij nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqjen, duke qenë se pretendon se nuk ka kryer vepër penale.
Eduard Duro u mor i pandehur 29 tetor nga Prokuroria e Posaçme dhe akuzohet për veprën penale "Shpërdorim i detyrës", në lidhje me licencimin e një objekti të ndërtuar pa leje në territorin e bashkisë që drejton. Ai akuzohet se ka licencuar një karburant, godina e të cilit në fakt ishte ndërtim pa leje.
Kjo do të thotë se hetimet kanë përfunduar dhe çështja është gati për t'u dërguar për gjykim, ndaj kryebashkiaku socialist i Devollit ka marrë tashmë statusin i pandehur. Kjo nuk e bën atë fajtor, por është në cilësinë e personit të dyshuar për kryerjen e një vepre penale.
Eduard Duro i shtohet listës së gjatë të zyrtarëve të lartë socialistë, duke përfshirë një ish-zëvendëskryeministër, ministra e ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë që janë goditur nga SPAK për shkak të veprave penale që lidhen kryesisht me shpërdorimin e detyrës.
Ky është mandati i dytë i tij në krye të Bashkisë së Devollit. Në vitin 2019, Eduard Duro u zgjodh për herë kryebashkiak dhe në zgjedhjet e 14 Majit 2023, arriti të siguronte një mandat të dytë, të cilin siç duket, edhe mund të mos e përfundojë nëse provohet fajësia.
Megjithatë, mbetet në vlerësimin e prokurorëve se çfarë do të kërkojnë në sallën e gjyqit, pasi më herët edhe kryebashkiakë të tjerë socialist si ai i Mallakastrës dhe Kuçovës janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, por nuk e kanë humbur mandatin pasi dënimin e kanë shlyer me punë në komunitet.