
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të deputetit të PD-së, Qani Xhafa. Ky i fundit është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Qani Xhafa, ka përfunduar nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se më 11 mars 2023, Xhafa duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur më një shtyll të ndriçimit rrugor.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.27 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se më 11 mars 2023, i pandehuri Qani Xhafa, aktualisht Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota me targa AB 457 IJ, në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
I pandehuri Qani Xhafa ushtron funksionin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 19 Maj 2023.