Belind Këlliçi ka reaguar pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, duke e etiketuar si një "rikthim të jashtëzakonshëm".
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi theksoi rëndësinë e këtij momenti për shqiptarët dhe botën.
"Qoftë kjo ditë dhe kjo fitore e Presidentit Trump, një ogur dhe shembull konkret për rikthimin e fuqishëm të Partisë Demokratike aty ku i takon, në krye të punëve të vendit," shtoi Këlliçi, duke nënkuptuar shpresën e tij për rikthimin e Sali Berishës dhe heqjen e “non grata” ndaj liderit demokrat.
Reagimi i Belind Këlliçit:
Ky është rikthimi më i jashtëzakonshëm i të gjitha kohërave.
Donald Trump sot shkroi historinë e politikës botërore me rikthimin e tij kundër të gjitha parashikimeve!
Fitorja e Presidentit Donald Trump dhe kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, është një lajm i mirë për qytetarët amerikanë, për botën perëndimore, për ne shqiptarët dhe për të gjithë globin!
Dita e sotme është po ashtu një triumf i qytetarit amerikan që shfaqet tek liria e tij për të vendosur vetë, tek fuqia e tij për ta bërë ndryshimin, pavarësisht çfarë thotë propaganda, e çfarë kërkojnë elitat dhe establishmenti.
Qoftë kjo ditë dhe kjo fitore e Presidentit Trump, një ogur dhe shembull konkret për rikthimin e fuqishëm të PD aty ku i takon, në krye të punëve të vendit.