
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Leonard Kadrimin, Dashnor Taullën dhe Ardit Kërtushën, të cilët akuzohen për falsifikim pronash në Spitallë.
Ish zv/drejtori i Kadastrës së Durrësit u arrestuan më 12 prill 2024 pasi dyshohet se së bashku me dy juristë akuzohen se ndihmuan për tjetërsimin e 448 mijë metra katrorë tokë shtet në qytetin bregdetar të Durrësit.
Bëhet fjalë për 20 tituj pronësie me sipërfaqe në total 448 mijë metra katrorë tokë pranë universitetit të Durrësit 'Aleksandër Moisiu" në zonën e Spitallës, të cilat deri në vitin 2018 kanë qenë në pronësi të shtetit por më pas disa qytetarë me ndihmën e zyrtarëve të Kadastrës e kanë privatizuar me dokumente të falsifikuara.
Pas një hetimi 1 vjeçar me kërkesë të Prokurororisë së Durrësit, gjykata e këtij qyteti firmosi sekuestro preventive mbi këto tituj pronësie duke qenë se bëhet fjalë për objekte të cilat mund të vijojnë të tjetërsohen.
3- Dashnor Taulla, 61 vjeç, - përfitues i 76 000 m2 - Banues në Durrës - Akuzohet për “Mashtrim” e “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale"
4- Ardit Kërtusha, 33 vjeç - banues në Lagja nr.15, Rruga “Aleksandër Goga” Durrës - Akuzohet për “Mashtrim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale"
1- Leonard Kadrimi, 35 vjeç, banues në Durrës, ish-zv/drejtor i ASHK Durrës, - Akuzohet për 'Shpërdorim detyre"
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Komisariatin e Policisë Durrës, ka bërë kallëzim shtetasi me iniciale F. Sh, i cili ka deklaruar se është bashkëpronar në dy parcela toke në Spitallë, Durrës dhe ka pretenduar se disa punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, e kanë tjetërsuar pronën e tij. Në kuadër të këtij kallëzimi është regjistruar procedimi penal në ngarkim të disa shtetasve.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka zhvilluar gjykimin lidhur me verifikimin e kushteve ligjore mbi zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale A. K dhe D. T, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 143/3 e 25 dhe 287/2 shkronja “a” të Kodit Penal, si dhe ndaj shtetasit me iniciale L. K, me detyrë zëvendësregjistrues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës në kohën e kryerjes së veprës penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga 287/2 shkronja “a” të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin datë 14.04.2024, ka vendosur:
-Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personave nën hetim A. K, D. T, L. K me vendimin penal datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
-Personat nën hetim A. K, D. T, L. K, mbeten me masën e sigurimit të caktuar me vendimin penal datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:
– Nga personi nën hetim me iniciale A. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase sigurimi personal më të butë.
– Nga personi nën hetim me iniciale L. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit për sa i përket masës së sigurimit, hetimin në gjendje të lirë pa masë sigurimi, në alternativë caktimin e masës së sigurimit “detyrimin për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
– Nga personi nën hetim me iniciale D. T, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase sigurimi personal më të butë.
Në përfundim të gjykimit, sot me datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare z. Fatri Islamaj vendosi:
-Miratimin e vendimit datë 14.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me të cilin është bërë verifikimi i kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar me vendimin datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ndaj personave nën hetim D. T, A. K, L. K.