Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në qeli ish-zyrtarin Ymer Markun, pasi akuzohet për “falsifikim dokumentash” dhe “shpërdorim detyre”, pasi gjatë kohës kur drejtonte komunën e Bërxullës ka abuzuar me dhjetëra raste të tjetërsimit të pronave në këtë zonë.
Gjyqtari Dritan Hasani vendosi këtë të hënë të lërë në qeli Ymer Markun, Kujtim Balliun me detyrë ish-drejtor i administrimit dhe menaxhimit të tokës. Ndërsa ka zbutur masën e sigurisë për ish-kryeplakun, Agim Locin, ndaj të cilit është vendosur masa “arrest shtëpie”.
Kujtojmë se më 16 Prill 2024 Policia e Tiranës ekzekutoi urdhërarrestet për ish-kreun e komunës së Bërxullës, Ymer Marku, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci, Kujtim Balliu, specialisti i Z.M.M.T, si dhe për përfituesin e pronës, Kujtim Allmeta.
Marku, Balliu dhe Agim Loci akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikim dokumentesh”, ndërsa qytetari Kujtim Allmeta akuzohet se ka përvetësuar pasurinë me dokumenta të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe Kryeplakun e fshatit dhe ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj.
Nga verifikimet e kryera rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë. Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, Bashkia Vorë. Ata kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë.
Ndërkohë, ditën e djeshme raportuam se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një tjetër hetim paralel për ish-zyrtarin. Marku do të përballet edhe me një tjetër kallëzim penal të depozituar në SPAK nga Arben Tafa, i cili më parë ka shërbyer pranë komunës së Bërxullës.
Arben Tafa, gjatë kohës kur Marku ishte në krye të komunës së Bërxullës është punësuar nga ky i fundit si hidraulik. Mirëpo, ka rezultuar se gjatë kësaj kohe emri i tij është përdorur si maskim për tjetërsimin e disa pronave që ndodhen në zona të ndryshme të Bërxullës.
Në emër të Arben Tafës, është regjistruar me dokumenta të falsifikuara një sipërfaqe toke 4 mijë metra katror. Dokumentat tregojnë se kjo sipërfaqe ndodhet në fshatin Brukë dhe pronari është Arben Tafa. Mirëpo, ky i fundit thotë se nuk është pronari i kësaj toke dhe se nuk ka një dokument që ta provojë origjinën e kësaj pasurie të paluajtshme, prandaj dhe i është drejtuar Prokurorisë.