Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar për verifikim të thelluar formularin e vetëdeklarimit të kryebashkiakut socialist të Libohovës, Leonard Hide. Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i kërkohet të bëjë verifikim të të dhënave të Hides.
Kjo kërkesë vjen pas shkresë së datës 16 Maj 2024, “Partia Demokratike e Shqipërisë” ka informuar KQZ-në se kryebashkiaku Leonard Vyrtyt Hide është duke u hetuar nga SPAK dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme.
Dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, Leonard Vyrtyt Hide ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike, ndaj është duke u hetuar nga SPAK.
Nisur nga ky informacion, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon nga Sektori i Dekriminalizimit që të kryejë verifikimet e nevojshme dhe të marrë informacione shtesë në lidhje me faktet dhe rrethanat e parashtruara.
Siç thuhet në raportin dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të verifikimit paraprak të kushteve të kandidimit të këtij kandidati, KQZ ka kërkuar informacion nga zyra e gjendjes gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në përgjigje të kësaj kërkese, DPB ka informuar se Leonard Hide nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë. Nga verifikimi i të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të Leonard Vyrtyt Hide, rezulton se nuk ka deklaruar asnjë të dhënë që ka të bëjë me parashikimet për ndalime në ligjin nr. 138/2015.