Politikani i njohur Edmond Haxhinasto është paraqitur mesditën e kësaj të marte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Është e paqartë se në çfarë cilësie është thirrur ai në SPAK, si person në dijeni për episode të caktuara që janë duke u hetuar, apo për detyrat publike që ka mbajtur.
Edmond Haxhinasto është një nga themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, dhe gjatë karrierës së tij ka mbajtur detyra të larta publike si zëvendës ministër, Ministër i Jashtëm dhe ministër i Ekonomisë, si dhe zëvendës kryeministër i Shqipërisë.
Së fundmi, nga fragmentet që kanë rrjedhur në media Edmond Haxhinasto shfaqet dhe në aktet e dosjes kundër Ilir Metës e Monika Kryemadhit në SPAK.
Po ashtu, Edmond Haxhinasto mund të jetë thirrur në Prokurorinë e Posaçme edhe për një kallëzim penal të bërë vite më parë nga socialisti Damian Gjiknuri, për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit miliarda lekë.
Në vitin 2017 kur Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu një kontroll në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, gjeti fakte tronditëse për projektin e autostradës Tiranë-Elbasan. Kontrata rezultoi e ndryshuar 12 herë, duke bërë që të rritej kostoja në total nga 293 milionë dollarë në 450 milionë dollarë. Po ashtu, dëmi ekonomik i shkaktuar në buxhetin e shtetit ishte 54 milionë dollarë.