Këtë të martë është mbajtur senaca e radhës për tragjedinë e Gërdecit. Siç tashmë është bërë një rutinë, ish-ministri Fatmir Mediu ka mbajtur një komunikim të shkurtër me gazetarët, ku i është përgjigjur pyetjeve të tyre.
Mediu deklaroi se nga ky proces nuk ka më asgjë të re dhe vuri në dukje faktin, ku sipas tij gjykata ka treguar një tendecë për ta mbyllur këtë çështje sa më shpejt.
Ai tha se duhet të përcaktohet se kush janë përgjegjësitë kryesore të ministrit, duke specifikuar se cilat ligje dhe nene janë shkelur.
“Prokuroria ka sjellë një volum shkresash pa përcaktuar asgjë. Por pa përcaktuar dhe përgjegjësitë e ministrit. U tha se ishte salduar një karrocë. I kërkuam prokurorisë që të na thotë se ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës.
Nëse nuk hyhet në thelb të së vërtetës, mendoj se është një proces që të kalohet te procesi i radhës. Sikur duan që të mbarojë seanca shpejt. Se çfarë ka ndodhur në Gërdec, njerëzit e dinë, se çfarë ka bërë ministri, çfarë nenesh dhe ligje ka shkelur. Por atë duhet ta faktojnë. Unë duhet të analizoj ekspertizën e amerikanëve.
Ata kanë lënë 5 shkaqe për shpërthimin në Gërdec. Nuk u bë herën e parë, ndaj mendoj se duhen marrë në konsideratë të gjitha gjërat. Nuk merret ministri me çështjet e kalibrave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të japë versionin e tij. Nuk është e vështirë që të gjendet adresa e tij në SHBA. Duhet të bëhet një debat interaktiv ,” tha ai.
Mediu akuzohet për dy akuza të lidhura me “Shpërdorimin e detyrës” kryer në bashkëpunim.
Vepra e parë penale për të cilën ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet, është ajo “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
Kujtojmë që shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars (e shtunë) 2008, rreth orës 12:05 dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, dha dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë.
Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”