
Opozita ka reaguar pas publikimit të të dhënave të Censusit të popullsisë të vitit 2023, duke i cilësuar ato si të rreme dhe një përpjekje e qeverisë për të fshehur realitetin.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se shifrat e publikuara nga të dhënat e Censit2023 të publikuar ditën e sotme janë të trukuara.
Gjatë një konference për media nga selia e Partisë së Lirisë, Meta tha se vonesa e këtyre publikimeve është e pajustifikueshme, ndërsa shtoi se në Shqipëri ka më shumë apartamente se sa individë të deklaruar nga Censi 2023.
Sipas kreut të PL-së, Ilir Meta ironizoi duke thënë se Shqipëria është projektuar për t’u shpopulluar nga njerëzit e saj dhe për t’u shndërruar në një parajsë për trafikantët, mafian botërore dhe natyrisht në një vend tërheqës për turistët, por një tmerr për fermerët dhe mësuesit e vendit të saj.
“Shifrat janë të trukuara, ndaj edhe vonesa e këtyre publikimeve është e pajustifikueshme. Mjafton të bëni një krahasim me Kosovën dhe do kuptoni sa mijëra kilometra larg jemi sa i takon standardeve të transparencës.
E sigurtë që sot në Shqipëri ka shumë me tepër apartamente sesa individë, jo familje. Shqipëria është projektuar për t’u shpopulluar nga njerëzit e saj dhe për t’u shndërruar në një parajsë për trafikantët, mafian botërore dhe natyrisht në një vend tërheqës për turistët.
Të jesh turist në Shqipëri është një gjë shumë e mirë, për shkak të klimës, ushqimit, detit dhe kulturash të tjera. Por ju e dini se cfarë tmerri është të jesh fermer, apo mësues në Shqipëri”,- është shprehur Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook. Basha tha se shpopullimi i vendit është fshehur pas një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent.
Për ish-kreun demokrat, Basha eksodi i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë, e cila punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, ndërsa shton se që kjo hemorragji të ndalë duhet një ndryshim rrënjësor, i cili mund të vijë vetëm me opozitën.
“Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti.
Eksodi masiv i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë, as thagmat korruptive që po i bëjnë gjëmën vendit, si skandali dramatik i Onkologjikut, apo i dhjetra zezonave të tjera që e kanë bërë vendin të pajetueshëm.
Shqipëria nuk meriton shpërbërjen e saj, shpërbërjen e familjes, largimin e rinisë, plakjen e popullsisë. Që kjo hemoragji të ndalë, kërkohet një ndryshim i menjëhershëm dhe rrënjësor.
Shqipëria meriton më shumë, prandaj ne kemi prezantuar përpara shqiptarëve një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë”,- shkruan Basha në rrjetin social, Facebook.