
Politikani i majtë Spartak Braho i ka quajtur "rrugaçë" deputetët e opozitës të cilët në seancën e së hënës dogjën karriget përpara Kuvendit të Shqipërisë, si dhe tentuan të qëllojnë me këmbën e karriges kryetaren Elisa Spiropali.
Duke folur në Euronews Albania, ai tha se situata aktuale tregon për krizën që ka mbërthyer politikën shqiptare, e cila kryen akte proteste që nuk ndodhin as në vendet afrikane.
"Do vijë duke u emancipuar jeta parlamentare. Nuk mbushet parlamenti me rrugaçë. Parlamenti ynë është mbushur me rrugaçë. Djegin, shkatërrojnë. Nuk ndodh as në vendet afrikane. Për t'u rrahur le të rrihen, por jo të djegin. Është shenjë e krizës. Aksioni opozitar nuk bëhet duke djegur apo duke qëlluar kryetaren e parlamentit", u shpreh ai.
Gazetari Thimi Samarxhiu ndërhyri duke i thënë se edhe Partia Socialiste ka bërë veprime të ngjashme në 2008, pavarësisht se kauza atëherë ishte më e fortë, por Spartak Braho tha se ata nuk kanë djegur asgjë.
Thimi Samarxhiu: Edhe ju në 2008, kujtoj zotin Meta me vazo.
Spartak Braho: Ne nuk kemi djegur asgjë (në 2008). Meta tentoi ashtu si njeri emotiv që ishte, u hodh bëri një gjest. Unë kam qenë në grevë urie me Metën. Gjithmonë në mbledhjet e grupit thonim të ruajmë qetësinë. Ai veprim i Metës qe spontan krejtësisht, i pa menduar më parë. Këta sot i bëjnë të planifikuara, përderisa vijnë me shashka, me benzinë me vete.