Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët veprojnë nën urdhrat e prokurorëve të posaçëm të SPAK, raportohet se kanë qenë ditët e fundit në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Këtë informacion e ka bërë me dije politikani demokrat Belind Këlliçi, një nga denoncuesit më zëshëm të aferave të lidhura me institucionin e drejtuar nga Erion Veliaj. Sipas tij, shumë dosje janë sekuestruar për "5D" dhe inceneratorin e Tiranës.
"Mesa jam informuar, në ditët e fundit ka pasur një vizitë në Bashkinë e Tiranës, ku janë zbatuar disa kërkesa dhe porosi të lëna nga Gjykata e Posaçme e Apelit në raport me dosjen 5D dhe atë të inceneratorit të Tiranës. Ka pasur një sërë sekuestrimesh të dosjeve të tjera që janë të përfshira në këto dy skandale", është shprehur Belind Këlliçi në Euronews Albania.
I pyetur nga gazetarja Mirela Milori nëse kishte informacione për lëvizje të SPAK, demokrati tha se nuk mund të aludonte çfarë do të ndodhte, por siguroi se do të vazhdojë me denoncimet e tij.
"Por unë nuk është se kam informacion se çfarë bën SPAK apo çfarë nuk bën, dhe nuk mund të aludoj. Unë vijoj të bëj denoncime, vijoj të çoj dokumente të reja dhe sfidoj këdo që pretendon ndryshe, të më padisë për shpifje", ka pohuar Belind Këlliçi.
Bashkia e Tiranës ka qenë dhe ndodhet dhe aktualisht në "lupën" e Prokurorisë së Posaçme, pasi disa nga drejtorët më të rëndësishëm në këtë institucion dhe njëherësh njerëzit më të afërt të kryetarit Erion Veliaj, janë arrestuar dhe aktualisht ndodhen në qeli.
Bëhet fjalë për Taulant Tushën, i arrestuar fillimisht për inceneratorin e Tiranës dhe më pas me një akuzë të dytë për kompaninë "5D Konstruksion", si dhe Mariglen Qaton, Redi Mollën dhe Namik Simixhiun.
© Newsbomb.al