
Pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëroi Prokurorinë e Posaçme që të regjistronte një kallëzimin penal dhe të nisë hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, organi i akuzës ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm.
SPAK thotë se ka kryer veprime të shumta hetimore, të cilat kanë konstituar ndër të tjera dhe në veprimtarinë e kryer nga Gaçi, në kuadër të bashkëpunimit të supozuar apo dhe qoftë dijenisë së tij rreth ekzistencës së dokumenteve të falsifikuara, nëpërmjet të cilëve është përfituar edhe toka e llojit truall.
Ndër të tjera, sipas asaj që mediat kanë siguruar, Prokuroria e Posaçme pretendon se në asnjë të dhënë të sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë Olta Xhaçka.
Në ankimin që SPAK ka depozituar në shkallën e dytë të gjyqësorit, argumenton se kjo çështje është kaluar edhe në filtrin e Gjykatës së Posaçme. Madje, prokurori i kësaj çështje, Ols Dado thotë se GJKKO ka ushtruar kontroll juridiksional, duke vendosur kalimin e dosjes ndaj Jorgo Goro për gjykim, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi ka çmuar se provat ishin të mjaftueshme për mbështetjen e akuzës.
Sipas Dados, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.
Në vendimin e arsyetuar të prokurorisë për mosfillim të hetimeve, sqarohet se procedimit penal ndaj Jorgo Goros nuk i ka munguar kontrolli gjyqësor, qoftë gjatë hetimit paraprak apo edhe gjatë gjykimit në seancë paraprake.
Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova i cenueshëm dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.
Kujtojmë se më 1 prill të këtij viti Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK që të regjistrojë kallëzimin penal dhe të nisë hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim. Ky urdhër nga Gjykata e Posaçme erdhi ankimimit të bërë nga eurodeputeti Fredi Beleri.
Më herët, Eurodeputeti Fredi Beleri në kallëzimin e tij ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që kishte vendosur të mos fillojë procedimin penal ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit. Ky vendim është datuar 27 dhjetor 2024, dhe Beleri kërkoi që të rishikohet dhe të hapen hetime përkatëse për këto individë. SPAK dërgoi për gjykim të shkurtuar vetëm ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Akuzat lidhen me dhënien e një prone që, sipas Belerit, është tjetërsuar dhe më pas është shitur Artan Gaçit. Ky proces ka përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve që i dhanë një sipërfaqe prej 5512 metra katrorë tokë, që fillimisht ishte regjistruar si tokë truall dhe më pas u shpall tokë bujqësore, për t'u shitur më tej.
Ndërkohë, që më herët, Gjykata e Posaçme ka dënuar Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e Himarës, me 3 vite e 1 muaj burg për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Dënimi është ulur në 2 vite e 20 ditë pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.
Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.
Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhej në kërkesë.