SPAK ka përfunduar hetimet ndaj Pjerin Ndreut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. Dosja tashmë është dorëzuar në gjykatë për shqyrtim.
Për çështjen është caktuar si gjyqtare Etleva Deda, e zgjedhur përmes shortit elektronik. Ajo pritet të përcaktojë datën e seancës, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për mbylljen e çështjes ose vazhdimin e procedimit penal.
Akuzat ndaj Ndreut lidhen me një tender të realizuar gjatë kohës së fushatës elektorale për ndërtimin e një trotuari në rrugën Lezhë-Shëngjin, në lagjen Xhenjo. Partia Demokratike, që depozitoi kallëzimin në vitin 2023, pretendon se punimet u realizuan pa miratim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), institucioni përgjegjës për atë aks rrugor.
Sipas PD-së, tenderi i bashkisë Lezhë është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në mënyrë të papërshtatshme gjatë një periudhe delikate elektorale. Hetimet përfshijnë gjithashtu disa zyrtarë të tjerë të bashkisë, të cilët kanë pasur rol në këtë proces.
Në korrik të vitit 2024, Pjerin Ndreu u thirr në SPAK për të dhënë shpjegime si person nën hetim. Pas marrjes në pyetje, ai deklaroi publikisht se kishte ofruar bashkëpunimin e tij për të sqaruar akuzat për “shpërdorim detyre”. Tashmë, vendimi për vazhdimin ose mbylljen e çështjes është në duart e gjykatës.