Hapësire reklamuese

Politikë

SPAK jep pretencën, kërkon 4 vite burg për Vangjush Dakon

Shkruar nga Newsbomb
SPAK jep pretencën, kërkon 4 vite burg për Vangjush Dakon
Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë këtë të martë pretencën për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon, i cili është marrë i pandehur për akuzën “shpërdorim detyre” në dy raste.

Prokurori Sotir Kllapi ka kërkuar 4 vite burg për ish-kryebashkiakun, mirëpo për shkak të gjykimit të shkurtuar atij do t’i ulet 1/3 e dënimit, duke zbritur në 2.8 vite burg. Kjo seancë është duke u ndjekur nga avokatët e Dakos, ndërsa ky i fundit nuk ishte i pranishëm.

Ndërkohë, për tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupin, Fiqiri Farrukun dhe Ardian Bulkun SPAK ka kërkuar tre vite burg,  të cilët me gjykim të shkurtuar kanë përfituar zbritje dhe konvertim të dënimit.

-Fatmir Ejupi, ish-topograf, akuzohet për falsifikim dokumentash dhe kërkohet dënimi me 3 vite burg. Me gjykim të shkurtuar, dënimi do të ulet në 2 vite burg.

-Ndërtuesi Fiqiri Farruku, gjithashtu për falsifikim dokumentash, kërkohet dënimi me 3 vite burg. Me gjykim të shkurtuar, dënimi do të ulet në 2 vite burg, por burgimi pezullohet dhe vendoset 4 vite shërbim prove.

-Adrian Bulkun, i akuzuar për falsifikim dokumentash, kërkohet dënimi me 3 vite burg. Po ashtu, me gjykim të shkurtuar, dënimi do të ulet në 2 vite burg, por burgimi pezullohet dhe vendoset shërbimi prove.

Seanca e radhës, për konkluzionet e palës mbrojtëse, para se të shpallet vendimi i GJKKO-së, do mbahet më 21 Nëntor, ora 14:00.

Vangjush Dako i cili aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste. Ai ra në prangat e bluve më 6 qershor të vitit të kaluar, por u la i lirë vetëm disa muaj më pas.

Dako akuzohet se bashkë me drejtuesin e Urbanistikës në Bashki dhe topografët, kanë zbardhur një leje 4 vite pasi pallati ishte ndërtuar.

Objekt hetimi kanë qenë dy fakte penale dhe më konkretisht, procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë. Si dhe procedura e prokurimit Shërbim Konsulence për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Fakti penal në dosjen në ngarkim të Vangjush Dakos dhe të tjerëve:

Së pari, gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës Nr.02 datë 28 Shtator 2011, në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, të parashikuara nga Ligji Nr.8652, datë 31 Korrik 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe Ligji Nr. 10 119 datë 23 Prill 2009 “Për planifikimin e territorit” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.

Në këtë mënyrë, është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës.

Së dyti, në lidhje me faktin e dytë të hetuar ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.

Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.

Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.

Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë,  Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej  18.318.400,2  lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve si më poshtë:

Vangjush Dako, me detyrë ish Kryetar i Bashkisë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal, e kryer dy herë;

Adhurim Qehajaj,me detyrë ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, si dhe veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer dy herë dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 dhe 248 dhe 25 të Kodit Penal;

Fiqiri Farruku, administrator i subjektit “Fakle” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

Ermal Lama, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

Fatmir Ejupi, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

Adrian Bulku, me detyrë Inxhinier topograf i licencuar, i kontraktuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

Ferzilet Hajdëri, me detyrë Ing. Ndërtimi e Licencuar, në rolin e kolaudatorës së objektit të ndërtuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Adnand Toçila, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Diana Dedja, me detyrë specialiste në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Bashkim Salillari,me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Hanza Reka, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës në Bashkinë Durrës, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Krahas dërgimit për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve të përmendur më sipër, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim Meri Priftuli, pasi nga provat e administruara së fundi nga hetimi, u vërtetua se kjo shtetase nuk ka marrë pjesë në kryerjen e ndonjë vepre penale.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese