
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama, se ndaj deputetit do të ndërmerren masa ligjore për kallëzim të rremë kundër vëllait të tij, Olsi Rama.
I ftuar në “Open”, Bardhi tregoi se kjo çështje nuk i krijon asnjë shqetësim dhe se do t’i shkojë deri në fund pretendimeve të tij.
“Nuk kam asnjë shqetësim, të mos humbasim kohë me atë sepse nuk kam shqetësim. Edhe ai vetë e tha kam ngarkuar avokatët, të bëjnë ndonjë shpikje filozofike. Unë vazhdoj t’i qëndroj kësaj çështjeje dhe do të kërkoj transparencë deri në fund”, u shpreh ai.
Kujtojmë që Bardhi dhe vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama, kanë nisur një përplasje të gjatë ndërmjet tyre në dyert e gjykatave. Pas një kallëzimi të depozituar nga deputeti demokrat në SPAK, u rihapën dhe njëherë hetimet për laboratorin e drogës të gjetur në Xibrakë, pasi sipas kallëzimit të Gazment Bardhit, Olsi Rama është i implikuar në formë direkte në këtë çështje.
Ndërkohë prokuroria disa ditë më parë, njoftoi mbylljen e hetimeve për dosjen e “Xibrakës” me arsyetimin se për personin e kallëzuar, Olsi Rama, nuk u gjet asnjë provë apo fakt që e inkriminon në këtë çështje.