Bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, Artan Gaçi, është paraqitur për herë të dytë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kudër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pasi është marrë në pyetje nga Prokurorët për 4 orë, Gaçi është shfaqur “pa fjalë” para gazetarëve dhe ka vijuar të ecë duke u buzëqeshur. I pyetur se për çfarë ishte thirrur këtë të premte në SPAK apo nëse kishte tjetërsuar pronat në jug, ai nuk preferoi të japë komente.
Më 5 prill 2024, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i sekuestroi në Himarë sipërfaqen prej 5080 m2 tokë Artan Gaçit. Kjo sipërfaqe rezulton të jetë pjesa tjetër e tokës me të cilën Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.
Toka që i është vendosur sekuestro preventive ndodhet në Dhërmi. Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Sipas SPAK shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.
Sekuestro erdhi pas arrestimit të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro më 23 mars. SPAK po vijon hetimet pasi ka dyshime se Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi për ndërtimin e kompleksit turistik.