Ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj i cili ndodhet në qeli për aferën e Sterilizimit, këtë të premte do të lërë qelinë për disa orë.
Ashtu si dhe njoftuan ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme i ka dhënë lejë Rrepajt që të paraqitet fizikisht në Komisionin Hetimor për Sterilizimin e seteve kirurgjikale. Priten që marrja në pyetje e ish-zv.ministrit të bëhet në orën 10:00, teksa mësohet se në ambientet e Kuvendit do të shoqërohet nga forcat e Policisë.
Rrjepaj është një ndër personat që do të merren në pyetje nga deputetët në Komisionin e Sigurisë për çështjen e sterilizimit. Ky është personi i parë që ndodhet në paraburgim dhe do të merret në pyetje nga deputetët, ndërsa në listë për t’u pyetur është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Nga veprimet hetimore rezulton e provuar se Ish Zëvëndësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare.
Ai ka ndryshuar disa herë këto të dhëna financiare, deri në arritjen e atyre të miratuara nga Komisioni i Dhënies së Koncensionit. Këto ndryshime janë kryer me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave, në funksion të miratimit të projektit nga Ministria e Financave.
Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur Ministrisë së Financave.
Gjithashtu në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.