Opozita do të zhvillojë sot protestën e saj të radhës para Bashkisë së Tiranës. Policia e Shtetit me anë të një njoftim ka dhënë detajet për masat e ndërmarra.
Në njoftimin e policisë, thuhet se në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit publik dhe sigurisë, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi i makinave në Bulevardin kryesor duke filluar nga ora 9 e 30 e mëngjesit, ndërsa sugjeron që drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugë alternative si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Ndërkohë që ka përsëritur thirrjen ndaj protestuesve për t’u distancuar nga aktet e dhunshme ndaj forcave policore si dhe të veprojnë në zbatimi të ligjit, teksa shton se respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime paqësore.
Kujtojmë se kjo protestë është në vazhdën e disa tubimeve të tjera që janë zhvilluar para Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në bashkëpunim me Partinë e Rithemelimit dhe Partinë e Lirisë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiut Erion Veliaj pas aferës korruptive me drejtorët 5D.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit", ditën e nesërme, më datë 14 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.
Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.
Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t'u distancuar nga çdo akt dhune.