Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Socialistët votojnë ngritjen e Komisionit për "Dezinformimin", opozita kërkoi më tepër kohë

Shkruar nga Newsbomb
Socialistët votojnë ngritjen e Komisionit për
Mbledhja e Konferences se Kryetareve ne Kuvend

Konferenca e Kryetarëve ka dhënë dritën jeshile për ngritjen e Komisionit Parlamentar kundër Dezinformimit, me shumicën e votave të anëtarëve socialistë, ndërsa deputetët përfaqësues të opozitës në Kuvend kanë kërkuar më tepër kohë.

Deputetët e opozitës e shohin ngritjen e këtij komisioni të posaçëm si një tentativë të qeverisë dhe mazhorancës socialiste për të spostuar vëmendjen nga ato që ata i quajnë "afera" dhe tentativë për të ndërhyrë në lirinë e medias.

"Kjo është një tentativë për te spostuar diskurin poltik nga aferat e qeverisë. Por përtej kësaj, ky propozim është problematik. Vjen si një tentativë e dytë për të ndërhyrë në lirinë e medias. Vjen pas dështimit të paketës antishpifje, një paketë që u kundërshtua fort nga ndërkombëtarët. Ngjan me atë që ka ndodhur në Turqi, mbi fjalën demokraci u bë dhunimi me i fortë i shtyllave të demokracisë. Duhet një reflektim dhe një kujdes i madh", ka thënë deputeti Agron Gjekmarkaj.

Komisioni Parlamentar kundër Dezinformimit do ta shtrijë veprimtarinë e tij gjatë 12 muajve dhe objekti i tij do të hyjë në termat e katër komisioneve të tjera parlamentare, siç është Komisioni i Jashtëm, Komisioni i Ligjeve, Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Komisioni për Edukimin. Gjithashtu, ai do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit nga ana e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Duke ju përgjigjur shqetësimit të kolegëve opozitar, Bledi Çuçi ka sqaruar si kreu i Grupit Parlamentar të PS se dezinformimi është një shqetësim global.

"Per shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posaçëm për këtë punë.

Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë. Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës.

Mendoj se nese ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve. S'mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Eshte ne nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni", është shprehur Bledi Çuçi.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PD është shprehur në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se publiku dhe vetë ligjvënësit duhet të kenë më tepër informacion për këtë iniciativë të socialistëve.

"Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të na informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet", është shprehur Gazment Bardhi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese