Deputetët socialistë kanë përfunduar mbledhjen informale të zhvilluar në Elbasan, ku është folur për angazhimin në institucionet e Kuvendit, si dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025.
Kryeministri Edi Rama i është bashkuar mbledhjes vetëm në momentet e fundit të saj, ndërsa fjalën hapëse e ka mbajtur kryetari i Grupit Parlamentar, Niko Peleshi, i cili është fokusuar mbi sfidat e këtij sesioni parlamentar.
Edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u kanë folur kolegëve deputetë për angazhimin e tyre parlamentar dhe punën në komisione. Spiropali ka folur dhe për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit në BE.
Deputetëve u është kërkuar që të angazhohen dhe për rritjen e elektoratit, duke synuar të afrojnë drejt Partisë Socialiste sa më shumë pjesë nga elektorati gri, të cilët kanë një peshë të madhe politike nëse zgjedhin përfshihen në zgjedhje.
Një ndër "burimet" kryesore të rritjes së elektoratit është dhe diaspora. Ministri Taulant Balla është i ngarkuari i Partisë Socialiste për diasporës, e cila pritet të votojë për herë të parë nga vendet e Bashkimit Europian, me postë për zgjedhjet në Shqipëri.
Gjithashtu, deputetëve socialistë u është kërkuar që të rrisin prezencën në media, duke marrë pjesë në emisione televizive, por edhe duke u angazhuar me tepër në rrjetet sociale, si Facebook dhe Tik Tok, ku të mund të komunikojnë me qytetarët.