Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Socialistët nuk paraqiten, dështon Komisioni Hetimor për Shëndetësinë

Shkruar nga Newsbomb
Socialistët nuk paraqiten, dështon Komisioni Hetimor për
FotoArkive: Komisioni Hetimor per Shendetesine

Punimet e Komisionit Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë kanë dështuar përsëri këtë të martë, pasi anëtarët socialistë nuk kanë marrë pjesë. Edhe dy mbledhjet e mëparshme kanë dështuar, pasi deri më tani komisioni nuk ka qenë në gjendje të miratojë planin hetimor.

Kryetarja Albana Vokshi është shprehur se ndaj anëtarëve socialistë do të ndërmerren masa drastike, pasi nuk paraqiten prej tri herësh radhazi dhe sipas ligjit, duhen shkarkuar e zëvendësuar.

“Nëse mungojnë tri herë radhazi duhen shkarkuar dhe duhen zëvendësuar me të tjerë. Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë në mënyrë të paligjshme dhe do i dërgojmë kryetares së Kuvendit që të marrë masa”, është shprehur Albana Vokshi.

Komisioni Hetimor në Shëndetësi do të hetojë koncesionet e Sterilizimit dhe të Check Up, por deri më tani palët nuk kanë arritur të miratojnë një plan pune, ndaj dhe anëtarët socialistë kanë refuzuar të marrin pjesë.

"Deputetët e mazhorancës kanë dashur të bllokojnë dërgimin e kërkesave për informacion. Janë dërguar 40 kërkesa për informacion, po vazhdojmë dhe me të tjera. Gazment Bardhi sot do i dërgojë një shkresë Lindita Nikollës për mbarëvatjen e punimeve të komisionit.

Po ashtu, do t'i dërgojmë shkresë Lindita Nikollës për kryetarin e Grupit Parlamentar të PS, për zëvendësimin e anëtarëve që janë në konflikt interesi", u shpreh më tej Albana Vokshi, kryetare e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë.

Partia Socialiste përmes një shkrese zyrtare i është përgjigjur opozitës se shkak për bojkotin e tyre është bërë mungesa e një plani hetimor, ndaj në këto kushte nuk ka arsye që ata të mblidhen. Ndërkohë, opozita në punimet e kaluara të komisionit ka insistuar në firmosjen e deklaratës së konfliktit të interesave, sepse pretendon se anëtarët e PS janë në konflikt interesi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet ditën e premte, por mbetet për tu parë nëse anëtarët socialistë do të marrin pjesë, apo do të vazhdojnë të refuzojnë. Deputetja e opozitës, Ina Zhupa është shprehur se mazhoranca po përpiqet të fshehë gjurmët e vjedhjes së milionave.

“Shpërdorim i përgjegjësive nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo nuk është një pamje normale, që mazhoranca të bojkotojë vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë, atë që ke votuar vetë. Po përpiqen të fshehin një aferë 200 mln euro. Kanë harruar që e vërteta vonon, por nuk harron”, është shprehur Ina Zhupa.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese