
Ornaldo Rakipi, djali i ish-politikanit Aqif Rakipi, ka mundur të sigurojë votat për një mandat të dytë në Kuvendin e Shqipërisë dhe tashmë që rezultati paraprak është certifikuar, falenderon qytetarët që i dhanë sërish besimin.
Ai arriti të siguronte 9552 vota dhe është në top 5-shen më të votuar të Partisë Socialiste të Tiranës.
“Falenderimet i kam të pamjaftueshme përballë besimit dhe mbështetjes së të gjithë juve! Miq, me zemër të mbushur me mirënjohje dhe emocione të forta, dua të falenderoj secilin prej jush, që me dha besimin për t’ju shërbyer edhe këtë mandat të dytë.
Falenderoj Kryeministrin tonë dhe Kryetarin e Partisë socialiste dhe të gjithë familjen e madhe socialiste për besimin që më dhanë për të garuar edhe njëherë, me ekipin në të cilin besoj. Jam dëshmitar i vijës së parë, i përpjekjeve të pareshtura të qeverisë sonë për ta ngritur Shqipërinë në nivelin Europian.
Prandaj, kudo kam gjetur mbartës të pritshmërive ambicioze për Tiranën tonë, të frymëzuar nga dëshmimi i përditshëm i ndryshimeve transformuese gati-gati të pabesueshme që ka pësuar vendi ynë. Ndaj, jam tejet i lumtur që ndajmë të njejtin vizion dhe dëshirë për Shqipërinë Europiane”, shkruan ai.
Ornaldo Rakipi u bë për herë të parë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, nën siglën e Partisë Socialiste, dhe shumë thanë se mbështetja e tij më e fortë që u përkthye në vota ishte babai, ish-politikani Aqif Rakipi.
Në këtë mandat të dytë, ai premton të vazhdojë të njëjtën rrugë dhe të jetë sërish praë qytetarëve ashtu si katër vitet që shkuan.
“Faleminderit çdo qytetari që më dha mbështetjen e tij, çdo familjeje që më hapi derën, çdo zëri që më dha forcë gjatë këtij rrugëtimi. Ju më besuat duke përdorur për mua mjetin më të çmuar që një qytetar ka në dorë-votën tuaj, prandaj premtoj se do jem gjithnjë me ju e për ju, duke u përpjekur t’ju kthej besimin dhe të jem zëri juaj pareshtur kurdoherë”, përmbyll Ornaldo Rakipi.