
Kryetari i Komisionit hetimor për nxjerrjen e të dhënave TIMS, Ervin Salianji, ka dalë në një deklaratë për mediat, një ditë pasi socialistët braktisën mbledhjen e djeshme të komisionit.
Salianji tha se kërkesat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste kanë qenë të ndryshme nga mbledhja në mbledhje dhe se dje në mënyrë absurde kërkuan anulimin e mbledhjes së kaluar pasi “kishin qenë në tualet”.
“Ata arritën në një vendim absurd, ku kërkonin anulimin e atyre vendimeve që ishin marrë në mbledhjen e mëparshme, me pretendimin se kishin qenë në tualet. Është e qartë se çfarë qëllimi ka PS, për të bërë hetimin parlamentar, për të mbrojtur një grup të pretenduar kriminal, që është vendosur qëllimisht në policinë e shtetit, për të ndërhyrë në sistemin TIMS. Për këtë arsye ne duhet të ishim në kushtet e urgjencës”, tha Salianji, teksa në vijim bëri me dije se janë depozituar kërkesat për informacion. Ai paralajmëroi nëse institucionet nuk do të kthejnë përgjigje brenda 5 ditëve, atëhere do të ketë kallëzim penal për shpërdorim detyre.
“Kam depozituar dje kërkesat për informacion të firmosura nga unë, drejtuar Ramës, ministrit të brendshme, Drejtorit të Policisë, drejtorit të AMP, drejtores së Shërbimit Informativ. PS kërkon që ne të mos bëjmë as kërkesa për informacion dhe të korrektojmë kërkesat nga ekspertët. Ne kërkesat i kemi bërë pasi marrë vendim të ndërmjetëm. Institucionet kanë detyrim të përgjigjen brenda 5 ditëve ose do të përballen me kallëzime penale për shpërdorim detyre”, tha deputeti demokrat, duke vijuar më tej të thotë se pas mbledhjes së djeshme pyeti dy ekspertët e mazhorancës Dritan Jahaj dhe Vjosa Bodo Mujo nëse kanë propozime, mirëpo ata iu përgjigjën duke thënë se nuk kanë asnjë propozim lidhur me këtë çështje.
“Ju e patë dje se si teatri dhe e gjithë kërcimi që bëri në komision ishte tërësisht një balitet. Në fund të mbledhjes kam pyetur ekspertët nga mazhoranca për propozimnet që kishin dhe të dy ekspertët e propozuar nga mazhoranca thanë që nuk kanë asnjë propozim.
Ka urgjencë kjo çështje nëse nuk do të kishte ndodhur nisja e punës së tij komisoni do të ishte në krye të detyrës një personazh që doli që kishte futur persona të paautorizuar në zyrë dhe kishte nxjerrë të dhënat” tha Salianji ndër të tjera.