
Lideri demokrat Sali Berisha ka reaguar së fundmi në rrjete sociale mbi fjalimin e mbajtur nga Zv/presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke e cilësuar si një nga fjalimet më historik.
Berisha shprehet se ky fjalim i dedikohet veçanërisht Edi Ramës, i cili për të eliminuar garën politike, ka burgosur 3 liderët e opozitës.
“Këto fjalë i shkojnë më shumë se kujtdo tjetër, Edi Ramës, kukullës së Xhorxh Sorosit në Tiranë, i cili arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të marrë një mandat të katërt. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, tha Berisha në postimin e tij në Facebook.
JD Vance në Mynih është shprehur se nuk mund të fitoni një mandat demokratik duke cenuar kundërshtarët, apo këdo tjetër, është shprehur ai mes të tjerash.
“Nuk mund të fitoni një mandat në mënyrë demokratike, duke censuruar kundërshtarët, apo duke i arrestuar ata. Pavarësisht, nëse është lideri i opozitës, apo një i krishterë i përulur i cili po lutet në shtëpinë e tij, apo në gazetar, i cili po përpiqet të raportojë një lajm!”, ka thënë Vance.