
Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar ditën e djeshme pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike në fshatin Ostren të Bulqizës.
Në skandal është përfshirë kandidati për deputet i PD në zonën e Dibrës, Xhelal Mziu, i cili pas një takimi elektoral në Ostren, ka dhunuar fizikisht së bashku me nipin e tij me iniciale E. M., punonjësin e njësisë administrative Ostren, 33-vjeçarin Kalosh Murra.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të njësisë administrative ndërsa mbeten të paqarta arsyet e konfliktit.
Rasti i ka kaluar nën hetim Prokurorisë së Posaçme teksa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë.
Sipas policisë rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin Kalosh Murra, 33 vjeç, punonjës i njësisë administrative Ostren, banues në Shupenzë.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren ndërsa ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes”, thuhet në njoftim.