Një ditë pasi presidenti i vendit, Bajram Begaj dekretoi datën 11 maj 2025 për zgjedhjet e përgjithshme, është zbardhur edhe relacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore.
Në këtë relacion të siguruar nga gazetarja Esiona Konomi mësohet se Tiranës i është shtuar një mandat, ndërsa qarkut të Korçës i është hequr.
Në varësi të numrit të popullsisë qarku i Tiranës shkon me 37 mandate deputetësh, nga 36 kishte në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërsa qarku i Korçës do të ketë 10 nga 11 mandate që kishte në zgjedhjet e vitit 2021.
Rënia e një mandati në Korçë reflekton një ulje të lehtë të popullsisë së qarkut në krahasim me qarqet e tjera të vendit, siç është Tirana, e cila vazhdon të shënojë rritje të ndjeshme.
Mandatet për zgjedhjet 2025
Berat- 7 mandate
Dibra- 5 mandate
Durrës- 14 mandate
Elbasani- 14 mandate
Fieri- 16 mandate
Gjirokastra- 4 mandate
Korça- 10 mandate
Kukës- 3 mandate
Lezhë-7 mandate
Shkodër- 11 mandate
Tirana- 37 mandate
Vlora- 12 mandate
Totali 140 mandate – 4627824 shtetas në 2024.
Si përcaktohen mandatet?
Në nenin 75 të Kodit Zgjedhor parashikohen kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni.
Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që, pas përllogaritjes sipas pikës 3 të këtij neni, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.