Hapësire reklamuese


Politikë

Shtyhet seanca për "Gërdecin", avokatët kërkuan riekspertim të dëmit ekonomik

Shkruar nga Newsbomb
Shtyhet seanca për "Gërdecin", avokatët kërkuan
Fatmir Mediu

Është shtyrë sërish seanca ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”. Avokatët e tij kërkuan të kryhet një akt i ri ekspertimi të dëmit ekonomik, pasi sipas tyre ekspertët që kanë bërë aktin e parë nuk kanë qenë të pavarur.

Sipas tyre, në kryerjen e aktit të parë nuk kanë qenë të pavarur ekspertët, por shtojcë e grupit të hetimit.

Në seancë janë paraqitur 5 ekspertët që kanë bërë aktin e mëparshëm. Ekspertët e paraqitur në gjykatë kanë kërkuar kohë të rifreskojnë edhe një herë të gjitha konkluzionet e kryera në aktin e parë. Po ashtu, dy prej tyre nuk e administronin fare aktin e ekspertimit.

Pjesë nga debatet në seancë:

Klodian Braho: Donim të dinim ekspertët janë njohur me aktin e ekspertimit?

Ekspertët: Kemi nevojë patjetër të njihemi me ekspertizën. Kërkojmë kohë të njihemi me aktin sepse ka ndodhur që në 2008.

Ymer Stafa: E kam aktin!

Rasim Metallari: E kemi kopjen tonë të asaj kohe nuk kemi nevojë. Mua për vete s’më duhet akti. Do e diskutojmë mes kolegëve

Latif Çela: Dua të sqaroj pozicionin tonë. Ne nuk jemi ekspert të licencuar, raporti jonë nuk mund të merret si ekspertizë. Ne kemi bërë një verifikim dokumentacioni, i kemi dhënë mendim prokurorit të çështjes por jo ekspertizë. Kemi dhënë mendim të specializuar që na është kërkuar

Irena Gjoka: Kështu i bie të keni kryer akt ekspertizë të rremë?

Latif Çela: Absolutisht jo, ne s’jemi thirrur si ekspertë.

Mondi Hoxha: Kërkojmë kohë të njihemi!

Fatmir Mediu: Gjithë kjo situatë tregon tendencë për të vazhduar në absurditet. Ekspertët këtu tregojnë se nuk kanë pasur cilësinë e ekspertit dhe nuk janë betuar. Kjo tregon që nuk ka dëshirë nga ana e prokurorisë për t’u thelluar në të vërtetën. Ky proces është krejt formal, pa asnjë substancë për të shkuar tek e vërteta. Unë mendoj që ka nevojë për akt-ekspertimi të ri. Mos të bëjmë proces sa për të kaluar radhën.

Pas këtyre diskutimeve Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për Mediun, për t’i dhënë kohë ekspertëve për t’u njohur me aktin. Seanca u radhës u vendos që të mbahet më 26 qershor në orën 09:00.

Ish ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërdorim detyre për shpërthimin e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese