
Pasditen e së mërkurës, 12 qershor, socialistët u mblodhën në shtëpinë e tyre, në selinë rozë. Ditëlindja e 33-të e Partisë Socialiste bëri bashkë figura të reja e të vjetra, deputetë e ish-deputetë, kritikë dhe mbështetës të Edi Ramës.
“Xhaketa të vjetra dhe xhaketa të reja”, ashtu si dhe ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh ditën e djeshme, duartrokitën arritjet e kësaj force politike, të cilës vetëm përgjatë procesit të rienergjizimit i janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj.
Një nga kritiket e forta të kryeministrit Edi Rama, Arta Dade qëndronte dje në mesin e socialistëve. Si duket ish-deputetja e ish-ministrja ka ndryshuar qëndrim sa i përket qeverisjes së Partisë Socialiste në drejtimin e Ramës. Kujtojmë se vite më parë Dade drejtonte gishtin nga kryesocialisti duke e akuzuar se ka kthyer PS-në në pronën e tij dhe se zgjedhjet nuk i kishte fituar në sajë të meritës së tij personale.
“Zgjedhjet edhe mandatin nuk e ke fituar në sajë të meritës tënde personale. Edhe në parti ke një statut për të cilat mblidhet kryesia dhe diskutohet për zëvendësimin e ministrave qoftë edhe të zv ministrave që nuk i njeh askush. Këtu nuk është respektuar fare statuti Rama e ka trajtuar si pronë partinë. Sistemi elektoral i ka dhënë prioritetin kryetarit të jetë numër një por në statut është një rregull që duhet konsultuar me bazën?”, thoshte Dade vite më parë, ndërkohë dje shtrëngoi duart me kryeministrin Rama.
Mesa duket arritjet e Partisë Socialiste dhe ngritja lart e emrit të Shqipërisë nëpër botë, ka bërë që Dade të bëjë “paqe” dhe të përgëzojë qeverinë Rama.
Nga festa, Dade u shpreh se vitet kalojnë, por rrënjët e të majtës shqiptare dhe të majtës europiane mbeten te Partia Socialiste.
“Gëzuar festën e partisë. Partia mbetet. Ministra, kryeministra deputetë, shkojnë e vijnë, por rrënjët e të majtës shqiptare dhe të majtës europiane mbeten te Partia Socialiste”, tha ish-deputetja.

I pranishëm në këtë festë ka qenë dhe ish-kreytari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Namik Dokle e E’them Ruka të cilët u panë nën shoqërinë e kryesocialistit, Edi Rama. Ky i fundit ndryshe nga herët e tjera, dje zgjodhi të ishte fjalëpak duke thënë vetëm një frazë: Rroftë Partia Socialiste!

Ndërkohë, ai që mbajti një fjalim të shkurtër ishte Blendi Klosi, i cili tha se Partia Socialiste sot është më e fortë se asnjëherë dhe e gatshme për të triumfuar sërish në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm.
“Mirëserdhët në festën e partisë së madhe, që ka dëshmuar, siç është sot një bashkim i themeluesve, por e shumë të rinjve që janë bashkuar ndër vite. Sot në këtë festë vijmë më të fortë se kurrë, me shumë arritje se ja kemi dalë të jemi pranë njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë. PS vjen e fortë, e përgatitur për të fituar shumë gara të ardhshme elektorale”, tha Klosi.

Kjo ditëlindje e 33-të e gjeti Partinë Socialiste në procesin e rienergjizimit. Kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe kreu i socialistëve, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të mbajtur ditë më parë bëri me dije se më datën 20 korrik do të thirret Kongresi.
Ndër, të tjera ai u shpreh optimist duke thënë se procesi i rienergjizimit ka pasur një ecuri pozitive dhe se gjatë këtij procesi Partisë Socialiste i janë shktuar 32 mijë anëtarë të rinj.